Pas zgjedhjes së qeverisë së re në Mal të Zi ka reaguar edhe ambasada amerikane në Podgoricë.
Në reagimin e saj ambasada amerikane shprehet se qeveria e re malazeze duhet të mbajë përgjegjësitë, dhe të punojnë për zhvillimin e vendit.
Qeveria e re e Malit të Zi e kryesuar nga Milojko Spajiç, mori 46 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim.
REAGIMI I PLOTË:
Qeveria e re malazeze duhet të jetë përgjegjëse për qëllimet e veta, tha Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke shtuar se ata janë të shqetësuar se partitë që historikisht nuk i mbështesin ato synime mund të pengojnë përparimin e vendit.
Ambasada tha se me marrjen e sotme të detyrës nga Qeveria e re, SHBA-të vazhdojnë të mbështesin shtetin dhe qytetarët e Malit të Zi në procesin e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe ruajtjen e vlerave euroatlantike.
Siç shtuan ata, Qeveria e re malazeze duhet të jetë përgjegjëse për qëllimet e veta të përcaktuara – anëtarësimi i plotë në BE, anëtarësimi aktiv dhe i besueshëm në NATO, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimi i rolit të shtetit në organizatat shumëpalëshe.
“Si aleat i NATO-s, ne jemi të shqetësuar se partitë që historikisht nuk i mbështesin këto synime mund të pengojnë përparimin e Malit të Zi. Ne bëjmë thirrje për kujdes për të siguruar që Mali i Zi të përfitojë nga kjo mundësi historike për të realizuar potencialin e tij të plotë demokratik dhe ekonomik”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu shtohet se SHBA shpreson të shohë qeverinë e sapoformuar të bëjë përparim të shpejtë në përmbushjen e detyrimeve të saj, duke avancuar vendin në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE dhe duke mbetur një aleat i fortë në NATO.
“Ambasada tha se do të mbështesin dhe njohin veprimet konstruktive të Kuvendit të ri dhe të Qeverisë, por edhe të shprehin shqetësimin e tyre për aktivitetet që bien ndesh me vlerat euroatlantike dhe që pengojnë progresin e prekshëm drejt integrimit në BE. Pritshmëritë janë të mëdha dhe presim që ato mund dhe do të realizohen”, ka përfunduar njoftimi.