Qeveria lehtëson lejet për shtëpitë e dëmtuara

AKTUALITET


Në mesin e javës së ardhshme qeveria pritet të miratojë një VKM, e cila do të lehtësojë procedurat për dhënien e lejeve të ndërtimit, për banorët që janë prekur nga tërmeti. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili gjatë një inspektimi të dëmeve të tërmetit në terren me kryebashkiakun e Tiranës, u shpreh se do të propozojë lehtësimin e procedurave ligjore për lejet e ndërtimit dhe shmangien e taksave për të gjithë banorët që do tu duhet të rindërtojne apo rikonstruktojnë banesat e tyre.

 “Jam dakord me atë që propozoi kryetari. Besoj se qeveria brenda kësaj jave duhet, pa më të voglin diskutim, të heqë barrierat për lejet e ndërtimit për të gjitha shtëpitë që kanë pësuar dëme dhe ku vetë njerëzit duan t’i ndërtojnë. Kam parasysh jo vetëm burokracinë, letrat e me radhë, por edhe çlirimin nga taksat e infrastrukturës apo tarifat e lejes së ndërtimit, me qëllim që kjo lloj barre dhe kjo barrierë, që shpesh i ka vonuar njerëzit, të ezaurohet sa më shpejt të jetë e mundur. Pa diskutim që do të duhet të ndërtojmë struktura që i rezistojnë kohës dhe fatkeqësive të tilla natyrore, si tërmetet. E kemi gjithë mundësinë tani që të ndërtojmë struktura me beton, brenda kushteve sizmike”, u shpreh Braçe.



Skip to toolbar