Rama bind banorët të lënë shtëpitë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e të dielës në qendrën e ngritur në stadiumin e Durrësit, ku do të qëndrojnë përkohësisht disa banorë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti. Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin, banorët u shprehën se vendosën të qëndrojnë në qendrën e ngritur në stadium për shkak të panikut dhe frikës. Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu informioi kryeministrin se për banorët janë vënë në shërbim mjekë, infermierë por dhe punonjës socialë e psikologë për të përballuar tramuat.

Rama u bëri thirrje banorëve të shkojnë te konvaleshenca në Durrës, ku janë në dispozicion qindra shtretër, me qëllim që të fillojë puna për riparimin e dëmeve në banesa dhe pallate. Ndërkohë, pasdite kryeministri Edi Rama ka vizituar disa familje në Njësinë nr.7, të cilat ishin prekur nga tërmeti. Rama u ka kërkuar familjeve që të largohen nga pallati, me qëllim që të fillojë puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.


“Ishte tërmet i fortë. Ne i kemi parë gjithmonë me frikë këto godinat, sidomos këto godinat e reja. Por kanë rezistuar shumë mirë. Kjo duhet të riparohet, pjesa e sipërme, se strukturalisht nuk besoj se do të ketë problem. Merr dhe njerëzit e tjerë të familjes dhe shkoni te Konvoleshenca dhe bëni një pushim. Vlerësojeni këtë, atje i keni të gjitha në dispozicion”.

“Ku na dole ti korçare trime. Korçaret janë për ballo, për teatro, për libra, për gjuhën shqipe, për kultivimin e shijes dhe edukatës së lartë, por dhe kshu trimesh nuk i dinim. Duhet bërë kjo gjë, sepse është shumë problem ajo pjesa lartë. Mua më morën dhe më thanë hajde urgjent që tu mbushim mendjen disa familjeve që të largohen. Duhet të largoheni që këtu të merreni me këtë punë. Fillimisht nuk duhet të rrijë kjo kështu”, tha Rama.




Skip to toolbar