Rama: 15 milionë euro për barnat onkologjike, krijojmë sistem mbrojtjeje nga përmbytjet dhe zjarret

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur para pensionistëve, deklaroi se qeveria ka vendosur një volum të ri financimi për disa sektorë kyç, me fokus në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, zhvillimin e inovacionit dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.

Rama tha se do të vijojë forcimi i kapaciteteve për mbrojtjen nga përmbytjet dhe zjarret, përmes pajisjeve dhe mekanizmave që do t’u vihen në dispozicion bashkive, si pjesë e një sistemi të konsoliduar kombëtar të mbrojtjes civile. Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria ka dyfishuar financimin për të rinjtë që merren me teknologji dhe zhvillojnë start-up-e, duke shtuar se janë mbi 1 mijë aplikime dhe se fondi fillestar ka rezultuar i pamjaftueshëm për të mbështetur projektet me potencial.

“Duke qenë se fondi në dispozicion ishte i pamjaftueshëm për projekte me potencial, kemi vendosur ta dyfishojmë atë. Po krijojmë një sistem të konsoliduar mbrojtjeje në nivel kombëtar, me ndërhyrje që kanë impakt të drejtpërdrejtë në ekonomi, zhvillim urban, rural dhe aspektin social”, deklaroi Rama.

Një tjetër prioritet i qeverisë, sipas tij, mbetet shëndetësia, të cilën e cilësoi si “thembra e Akilit” të sistemit, ku transformimi i infrastrukturës duhet të shoqërohet me rritje të cilësisë së shërbimit dhe furnizimit me barna.

Rama njoftoi se vetëm për barnat onkologjike janë vënë në dispozicion 15 milionë euro, me synim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor.

Ai shtoi se qeveria po përgatitet për një “hap të ri” në shëndetësi gjatë tre viteve të ardhshme, i cili do të realizohet përmes partneriteteve.

“Duhet të adresojmë në mënyrë shumë agresive domosdoshmërinë e rritjes së ndjeshme të sistemit tonë shëndetësor dhe këtë do ta bëjmë me partneritete, sepse nuk bëhet vetëm”, tha Rama.

Kryeministri komentoi gjithashtu debatet e fundit, duke theksuar se ka “konfuzion” dhe “çudira” në diskutimet publike mbi këto politika. “Ka një muaj që dëgjojmë çudira, por nuk mendoj se shqiptarët duhet të shpikin rrotën. Duhet të jemi të vendosur të rrisim kapacitetet tona për të konkurruar me të tjerët”, u shpreh Rama.



Skip to toolbar