Rama bën bilancin dhe paralajmëron spastrime në administratë

POLITIKË


Kryeministri Rama ka postuar të hënën një video ku shfaqet me shifra bilanci i punës së bërë falë platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Kryeministri shkruan se bashkëqeverisja nuk është një slogan i qeverisë së tij, por është një përpjekje për të fituar mbi barrierat e mospërfilljes e nëpërkëmbjes së të drejtës së qytetarëve nga disa zyrtarë të administratës. Falë bashkëqeverisjes, shkruan Rama, “pastrohet nga trupi i shtetit parazitë të fshehur nën petkun e zyrtarit”. Një deklaratë kjo që paralajmëron spastrime dhe shkarkime nga administrata të gjithë atyre personave që nuk zgjidhin problemet e njerëzve.

“Bashkëqeverisja nuk është slogan, po një përpjekje e mundimshme dhe e përditshme, për të thyer barrierat që për dekada janë ngritur mes qytetarit dhe zyrave të shtetit; barrierën e mospërfilljes të zyrtarucit ndaj qytetarit që kërkon një dokument; barrierën e nëpërkëmbjes së qytetarit nga zyrtaruci që kërkon një rryshfet; barrierën e mohimit të së drejtës së qytetarit, prej zyrtarucit në sportel!

Platforma e Bashkëqeverisjes është një urë që na lidh mes nesh, mbi kokat e zyrtarucëve e mbi lumin e justifikimeve, zvarritjeve, refuzimeve të administratës; është një mekanizëm që na bashkon kundër të keqes së futur thellë ndër dekada të tëra, në trupin e administratës; është një hapësirë ku nga bashkimi i forcave, qytetarët dhe qeveria, fitojnë mijëra e mijëra beteja të padukshme, ku pala e qytetarëve zgjidh mijëra e mijëra halle “të vogla” dhe pala e qeverisë, identifikon burime problemesh për qytetarin, e pastron nga trupi i shtetit parazitë të fshehur nën petkun e zyrtarit.

Bashkëqeverisja është një filozofi e re në ushtrimin e pushtetit dhe natyrshëm has shumë skepticizëm nga qytetarët e pengesa nga burokratët. Por kjo është një rrugë e drejtë, e mirë dhe e dobishme, prej të cilës nuk mund dhe nuk duhet të heqim dorë. Po do ta ndërtojmë me këmbëngulje të madhe e durim edhe më të e madh”, shkruan Rama.

Në videon e postuar prej tij, bëhet e ditur se falë platformës së bashkëqeverisjes kanë gjetur zgjidhje mbi 10 mijë çështje, vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/915776625434823/?__xts__[0]=68.ARBUbCqyhsorKQkdLrcV8lriLXSscGdLl0Ph6B7Y3jaimRk3ZDE-9RQnN6OiL-A5aH3FFrJtj0Fkmvz3UK73Z8-_OdDklZNQrzIjyKcCcwaCi4bTjWp-jypQ8tenSYIYJYNuC9eLBjwLHp3froqZq6MtXoJiAtuX82qQ5M6vlkPbOiJv-_O3vz2F8aM0-nau-0cGhBdHlNEN37hGrfkmKeGNT0j2_wQJ-NcdbHNLBJQzrSbicNhqUnuPxg4yZh0ZVhpxhsOznLORdf5OQfEfkCjgWPoe_CJvrUKsjmHQt0sOC-Twd0A8h4wEdIXDDQoF1TOgzhhlFv6cSJbJ1KH5LUuo2Bi6uH7O&__tn__=-R


Skip to toolbar