Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Washington, në margjina të samitit të NATO-s ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Të dy liderët diskutuan lidhur me rëndësinë e ecjes përpara në rrugën euroatlantike të Kosovës, e në veçanti për hapat e domosdoshëm drejt anëtarësimit në NATO, aleancë kjo jetike për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë e më gjerë.
Presidentja Osmani theksoi se “ky takim shërben për t’i koordinuar qëndrimet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin”.
E para e Kosovës ka publikuar foto në faqen e saj zyrtare në “Facebook” nga takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në SHBA.
“Me Kryeministrin Edi Rama, në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C. për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin. “, thuhet në postimin e Osmanit