Rama i bën dalje Valdrin Pjetrit: S`mbajmë më kosto veprimesh individuale

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama ka reaguar me në Tëitter, rreth akuzave të ngritura nga Partia Demokratike për dënimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Rama shprehet se përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë, është individuale. Në këto kushte, Rama shprehet se përgjegjësia e PS është se si reagon ndaj një akti individual.

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual”, shkruan fillimisht Kryeministri.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Më tej, duke përmendur disa virtyte njerëzore të Valdrin Pjetrit, Edi Rama shprehet se këto nuk mjaftojnë. Madje, ai shton se “kurrë nuk kam menduar se Valdrini do të fshehë të vërtetën në raport me ligjin”, duke treguar se derisa e vërteta ligjore të dalë, kryebashkiaku i ri i Shkodrës, i ka rrugët të ndara me PS.

“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”.

Në fund, kreu i qeverisë dhe Partisë Socialiste, duket i ndikuar edhe nga rastet e mëparshme kur përfaqësues të PS-së janë përballur me probleme me drejtësinë, shprehet se tashmë nuk do të lejojë që të marrë më kosto për veprime individuale të dyshuara si rasti i Valdrin Pjetrit.

“E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”, përfundon kryeministri Rama.



Skip to toolbar