Rama, i vendosur për Schengen në Ballkan

POLITIKË


Kryeministri Rama nuk heq dorë nga ideja e zonës Schengen në Ballkan, ndërkohë që është shprehur i prerë kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kundër kufijve etnikë. Këto janë vijat e kuqe për mua”, deklaroi Rama përballë Sokol Ballës në Real Story. Madje, kreu i qeverisë shtoi se i njëjti qëndrim është edhe i SHBA e BE, të cilët tashmë janë bashkuar në këtë prizëm. “Tani nuk ka më një ndarje mes amerikanëve dhe europianëve lidhur me çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Rama.


Në këtë aspekt, ai ka vijuar t’i qëndrojë idesë për heqjen e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe nëse mund të ketë kosto për tregjet vendase. “Unë do t’i heq kufijtë e këtij Rajoni. Ne paralelisht me ecurinë e procesit te integrimit, duhet të nxisim integrimin rajonal”, tha kryeministri. Gazetari Balla këmbënguli nëse kjo mund të dëmtojë tregun shqiptar dhe atë kosovar, duke përmendur edhe shembullin e taksës së vendosur nga qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj për produktet serbe, konkretisht ilaçet që vinin nga Serbia, të cilat hynin në Kosovë me çmim më të lirë dhe me cilësi më të lartë. Por, Rama deklaroi se kjo nuk dëmton qytetarët.




Skip to toolbar