Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm në çeljen e siparit “Shtëpia e Biznesit”, e cila është një struktura më e re në shërbim të dialogut të institucionalizuar mes qeverisë dhe biznesit në Shqipëri.
Ai theksoi se sistemi i Dhomave të Tregtisë duhet të bëhet një sistem me standarde europiane, për t’iu përgjigjur sfidave dhe nevojave të integrimit të vendit drejt familjes së madhe të Bashkimit Evropian.
Shefi i qeverisë theksoi se gjërat duhet të performojnë sipas standardeve duke lënë pas kulturën e rrëmujës dhe të keqorganizimit.
“Tjetra, dhomat e tregtisë. I kemi rënë vërdallë e vërdallë të paevitueshmes, sepse është një gjë që nuk imponohet dot e gjitha nga lart dhe prandaj kemi pritur që të piqen disa kushte që vetë komuniteti të kuptojë që kjo mënyrë organizimi ku secili bashkë me tre shokë bën Dhomën e vetë, është Bathorja e sipërmarrjes. Ne këtë e kemi bërë me të gjitha gjërat në vitet e lirisë, në kërkim të demokracisë.“Bathorja, të cilës i referohemi është vetëm njëra që është ajo që ne e dimë dhe që lidhet me ndërtimin kuturu, në një territor pa kanalizime, pa ujësjellës, pa asgjë, por ne kemi ndërtuar “Bathore” në çdo sektor të jetës edhe brenda pushtetit ekzekutiv. Mjafton të shikosh historinë e strukturave që janë ndërtuar e janë prishur e janë rindërtuar e ri prishur të organizimit të qeverisjes. Mjafton të shikosh historinë e dixhitalizimit e të kioskave që janë ndërtuar. Mjafton të shikosh e të shikosh, mund t’ju sjell shembuj pa fund, për të kuptuar se sa shumë e kemi paguar mungesën e traditës, mungesën e dijes, mungesën e organizimit, mungesën e koordinimit dhe mungesën e kuptimit që secili bën punën e vet, por të gjithë bashkë, duhet të ndërveprojmë që puna e secilit të bëhet më mirë. Prandaj dhe ligjit i Dhomave të Tregtisë e prandaj dhe sistemi i Dhomave të Tregtisë duhet të bëhet një sistem europian, sepse jemi një vend që nuk kemi asnjë sistem. Kemi dhoma, dhoma, dhoma, por nuk kemi shtëpi. Nuk e kemi një shtëpi për biznesin. Kemi dhoma. Po ku është dhoma e pritjes? Nuk dihet! Janë të gjitha dhoma gjumi. Atëherë, duhet ta bëjmë bashkë dhe kjo është një nga objektivat që kemi, apo jo? E të tjera që unë nuk dua ta zgjas, por thjesht dua t’ju them që mos e lini këtë hapësirë të pashfrytëzuar, se tani ne mund të vëmë këtu të gjithë vëmendjen tonë. Mund të vëmë këtu stafin që do të merret vetëm me sipërmarrjen. Mund të vëmë të gjitha forcat tona në dispozicion që t’i adresojmë çështjet tuaja, duke filluar nga ato më individualet e më të bezdisshmet që pengojnë punën tuaj të përditshme. Një rimbursim, një inspektim, një bllokim, një pritje pafund për një leje ku di unë, mjedisi, leje zjarri, leje zhurme, deri tek ato që lidhen me legjislacionin, por nëse ju nuk e merrni pjesën tuaj të pronësisë të kësaj shtëpie të biznesit, kjo do të mbetet një gjë e cunguar, prandaj duhet të na vini në provë dhe unë besoj që me Sekretarin e Përgjithshëm, kemi një shans më shumë, edhe ne, edhe ju, sepse e njeh mirë komunitetin tuaj dhe ne na shikon me sy kritik, edhe politik, edhe ekonomik. Çfarë doni më shumë ? Çfarë të bëjmë më shumë? Dje nuk e pata dot të mundur sepse kisha një impenjim tjetër dhe e hapën pa mua, më erdhi jashtëzakonisht keq, nuk e besoja dot që një anëtar i Këshillit Ekonomik që ishte në tryezë dje, ndërroi jetë. Juve, një pjesë e juaja e keni njohur, unë nuk e kam njohur personalisht, por kam dëgjuar fjalët më të mira për të, por kjo hyn në ato gjëra që jemi të ndaluar të kërkojmë të marrim informacion se nuk na jep informacion askush se si ndodh, as ardhja e as ikja nga kjo jetë. Kështu që, me shumë keqardhje, me shumë habi, i përcjell ngushëllimet – edhe kështu, meqë mu dha mundësia, – të gjithë atyre që e kanë pasur njeri të afërt, mik. Ai bënte shumë mentorime të të rinjve në tregun e punës dhe ishte shumë aktiv, përtej biznesit të vet edhe familjes natyrisht”, tha Rama.