Kryeministri Edi Rama i ka dhënë medaljen e artë të vlerësimit profesional zjarrfikësit të Vlorës Luan Kapaj, i cili mori pjesë në operacionet e kërkim shpëtimit për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat në Durrës pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit.
“Më vjen mirë që këtu për ta nderuar Luanin kanë ardhur edhe ata që e kanë një jetë të dytë nga Luani. Dëgjova edhe kolegë të huaj të Luanit, që u shprehën me një admirim të jashtëzakonshëm për aktet e tij. Njëri më tha se nuk arrij të kuptoj, si mund të ishte një njeri aq i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij, edhe pse tha, që kam parë episode të jashtëzakonshme që prapë se prapë nuk janë për aq sa kujtoj. Edhe unë i thashë nuk ke për ta kuptuar kurrë po nuk kuptove çfarë do të thotë të jesh vlonjat. Dëshiroj t’i jap Luanit medaljen e artë për vlerësim profesional, një medalje e krijuar prej disa kohësh dhe është dhënë për herë të parë vetëm për trupat e kërkim shpëtimit që erdhën dhe na ndihmuan, por është e para që i jepet një individi”, u shpreh Rama.
Me këtë medalje ndaj Luan Kapajt, Rama vuri në dukje se kështu rritet edhe niveli i vlerësimeve për individë të tjerë. “Ndodh që kur dikush bën mirë një punë, njerëzit thonë ‘detyrën po bën’, por dallimin e bën pikërisht përkushtimi dhe cilësia në kryerjen e detyrës. Me shumë respekt dëshiroj të dorëzoj këtë medalje dhe të them se jam i privilegjuar dhe i prekur që jam pranë teje, sepse në kushtet e jetës së përditshme njerëzit si ti janë thjeshtë në jetën e tyre dhe ne rrallë i shohim. Të jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj për gjithçka”, tha kreu i qeverisë.
Zjarrfikësi u shpreh se është krenar për faktin që shpëtoi dy qytetarë, ndërsa shtoi se do të vijojë që t’i shërbejë atdheut deri ditën e fundit të jetës. “Më shumë se sa krenar më bën fakti që dy qytetarët e mi marrin ajrin e kësaj toke dhe shikojnë dritën e diellit. Do i shërbej popullit tim deri në ditën e fundit të jetës sime” tha ai. Dy qytetarët që Kapaj u shpëtoi jetën ishin të pranishëm duke duartrokitur vlerësimin për zjarrfikësin, ndërsa njëri prej tyre u shpreh se “Luani më shpëtoi jetën. Kishte zemër të madhe, sikur ka emrin ishte edhe vete”. Kryeministri Edi Rama e mbylli ceremoninë me një batutë “vlonjatë jemi, por ti je më vlonjat se unë, asaj pjese ia dedikoj edhe pjesën e fortë”, tha ai.