Thaçi, tjetër letër Kurtit: Takohemi më 31 dhjetor

KOSOVA


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka ftuar sërish kreun e Vetëvendosjes për një takim. Në letrën e tij të tretë, presidenti i vendit ka thënë se me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë.

Kjo është letra e tretë e presidentit Thaçi dërguar kryetarit të Vetëvendosjes. Krijimi i qeverisë së Kosovës ka ndezur polemika në politikën kosovare, ndërsa kjo është shoqëruar me akuza të ndërsjellta.


Kreu i shtetit kosovar tregon që është i hapur për krijimin e qeverisë, ndërsa kjo faktohet edhe nga ftesa e ripërsëritur që ai i ka dërguar Albin Kurtit, brenda një kohë shumë të shkurtër.

“Me qëllim konsultimin për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Dje Albin Kurti tha se Presidenti përcakton vetëm datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.

 “Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Më parë Thaçi i kishte dërguar dy ftesa të tjera Albin Kurtit për tu takuar për mandatimin e këtij të fundit për formimin e qeverisë. LVV ftesës së parë iu përgjigj se Kurti ndodhej jashtë Prishtinës dhe se Albin Kurti do t’i komunikonte presidentit orën dhe datën e takimit kurse ftesës së dytë lideri i VV iu përgjigj duke kritikuar Thaçin se fillimisht i kishte përcjellë ftesat te portalet.




Skip to toolbar