Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Kuvendi se të gjithë emigrantët shqiptarë do të kenë mundësi të votojnë që nga zgjedhjet e ardhme. Kryeministri, nga foltorja e Parlamentit e bëri këtë deklaratë, ndërsa komentonte deklaratat e opozitës se 85% e popullsisë ka refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit.
Kryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij në Kuvend, se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e 30 qershorit ishte një fitore për PS-në krahasuar edhe me kohën e zgjedhjeve të 2015-ës kur PS garoi në aleancë me LSI-në. Kreu i qeverisë tha se PD-ja e quan fitore faktin që 85% e shqiptarëve nuk votuan, kur ndërkohë sipas tij llogarit në këtë shifër edhe shqiptarët që janë larguar nga vendi, emigrantët, ata që qëndruan në shtëpi dhe ata që bënë plazh.
“Fatmirësisht e kam thënë disa herë gjatë fushatës se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet me dhunë do të rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ata të shpallnin fitoren e radhës, e kam ditur që do t’i numëronin si fitore shqiptarët jashtë shtetit, ata në shtëpi dhe at anë plazh. S’ka më keq për humbësit sesa të sillen si fitimtarë. S’ka më mirë për fituesit se humbësit nuk e kuptojnë që kanë humbur. 85 % e popullit refuzoi Ramën – thonë të shkretët. Por i llogarisin të tërë, që nga të ikur në kohën e ambasadave, si prezentë në Shqipëri 30 qershorin e fundit. Janë këta që e pengojnë përfshirjen e emigrantëve në Kodin Zgjedhor. Theksoj bindjen tonë se emigrantët duhet ta kenë të drejtën e votës, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme. Uroj edhe me dakordësinë e opozitës parlamentare”, deklaroi Rama.