Kryeministri Edi Rama ka nisur të premten vizitën zyrtare në Gjermani. Ai ka postuar në facebook një foto gjatë takimit në në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut, ku shkruan se ndodhet aty për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë.
“Në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë. Bashkëbisedim i hapur dhe pozitiv”, shkruan Rama duke dhënë shpresë se vendimi i Bundestagut gjerman do të jetë pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Gjatë qëndrimit të tij në Berlin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë me të cilët do të bisedojë për mundësinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë, përmbushjen e detyrimeve nga qeveria, por edhe ndonjë kërkesë apo kusht të ri që mund të kenë ndërkombëtarët. Në axhendën e Kryeministrit është parashikuar një takim me kancelarin gjermane Merkel. Më herët Rama është pritur ngrohtë nga Merkel dhe ka marrë mbështetjen e saj për procesin integrues të Shqipërisë.
Deutsche Welle raportoi pak ditë më herët se një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”. Vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Qëndrimi i CDU/CSU-së duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD. Kjo e fundit, dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qendrimet e tyre, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut.
Vendimi që Gjermania do të marrë për Shqipërinë është mjaft i rëndësishëm, dhe pritet të ndikojë edhe tek vendet e tjera skeptike, siç janë Franca dhe Holanda. Më 18 tetor Këshilli i Europës do të thotë fjalën e fundit në lidhje me çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.