Në një intervistë dhënë “Evropa e Lirë” Rama shprehet se është gati të ulet në tryezën e dialogut dhe të negociojë gjithçka përveç afateve kushtetuese.
“Unë kam insistuar për dialog gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marri fjalën. Këto janë të panegociueshme. Gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme”, është shprehur Rama.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar presidenti Meta, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, i cili thotë: “Shumë dakord me kryeministrin. Zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por të popullit. Demokracia dhe pluralizmi politik janë të panegociueshme”.
Në këtë reagim duket qartë se meraku i presidentit është “pluralizmi”, pra futja në zgjedhje e PD-së dhe e LSI-së dhe duket se kjo është e thembra e Akilit, në negociatat mes palëve.
A do të bien palët dakord për një tjetër datë zgjedhjesh, në mënyrë që t’i jepet mundësia edhe opozitës që të marrë pjesë? Deri tani palët janë të vendosura fort tek qëndrimet e tyre të palëvizura, por asnjëherë nuk i dihet. Zbutja e toneve nga ana e opozitës por edhe e Presidentit, gjatë dy ditëve të fundit mund të jetë një shenjë.
Rama duket këmbëngulës te 30 qershori, por a do të ishte i gatshëm ai dhe ndërkombëtarët të “toleronin” një shtyrje të pranueshme (maksimumi deri në 14 korrik), në mënyrë që presidenti të dilte mirë dhe opozita të futej në zgjedhje? Presioni i madh që bën Rama për datën 30, mund të kompensohet vetëm në këtë mënyrë. Kështu PD, e cila është e karikuar politikisht prej 5 muaj proteste, futej në zgjedhje shumë më mirë sesa ndonjëherë më parë; presidenti nxjerr një dekret të pranueshëm nga të gjithë dhe Rama futet në zgjedhje si kryeministër, së bashku me opozitën.
Ndoshta ky është një skenar optimist. Shenjat janë inkurajuese (Meta që bie dakord me Ramën në pak minuta nuk ndodhte së paku prej një gjysmë dekade) dhe Basha që sot do të bëjë një shëtitje familjare para kryeministrisë. Fundja s’kemi ç’humbasim. Shpresa vdes e fundit. Vetëm nëse vdes, nuk ka dekret që ja shtyn datën./realstory.al
Intervista e plotë e Ramës dhënë “Europa e Lirë”
Zoti kryeministër, ku e shihni zgjidhjen dhe si do ta ruani stabilitetin politik në vend?
Zgjidhja është e qartë, është zgjidhja që e mbështet gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Kjo do të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por janë të popullit. Populli ka të drejtë të zgjedhë ditën e përcaktuar nga Kushtetua dhe nga ligji dhe politikanët kanë të drejtën të paraqiten para popullit. Kush nuk paraqitet para popullit, është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se nuk fiton asgjë por përkundrazi paguan një kosto të madhe politike.
Në 30 qershor ju thoni se do të shkoni në zgjedhje, ndërkohë që 27 nga 61 bashki të Shqipërisë thonë se nuk do ta mbështesin këtë proces, përkundrazi ata insistojnë që do të përpiqen ta pengojnë atë. A mendoni se mund të mbahen zgjedhje në gjysmën e Shqipërisë?
Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë Shqipërinë. Ata që përpiqen ta pengojnë janë gabim, luajnë me zjarrin sepse djegin veten në raport me ligjin dhe ligjet janë të qarta. Zgjedhjet kanë një administratë zgjedhore, kanë një gjykatë zgjedhore dhe bazuar edhe në opinionin e kah hershëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, çdo problem i kujtdo me zgjedhjet adresohet në gjykatën zgjedhore dhe askund tjetër. Kështu që janë përpjekje të dëshpëruara të cilat nuk kanë asnjë shans që të përmbysin bazën e rregullave të bashkëjetesës demokratike. Nuk është problemi që unë insistoj që të shkoj në zgjedhje, unë insistoj që të respektohet kushtetuta, dhe e drejta e popullit për të zgjedhur.
Megjithatë presidenti i çdekretoi dekretin për datën e zgjedhjeve. gjykatë kushtetuese nuk ka për momentin. Ku do të vërtetohet vlefshmëria e këtij vendimi por edhe vlefshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve?
Gjykata Kushtetuese e ka dhënë opinionin e vet disa vite më parë dhe ka nënvizuar se aktet e presidentit janë akte individuale të cilat kur lidhen me zgjedhjet adresohen në gjykatën e zgjedhjeve që është Kolegji Zgjedhor dhe askund tjetër, kështu që jemi të qartë në këtë pikë. Përsa i përket aktit të presidentit për çdekretimin e zgjedhjeve është një akt, absolutisht i pavlefshëm, përbën një shkelje të rëndë të kushtetues për të cilin presidenti është në procedurë shkarkimi në parlamentin e Shqipërisë.
Gazeta gjermane Bild, nxori një numër përgjimesh ku dyshohet që ka përfshirje të socialistëve në manipulimin e procesit zgjedhor. Ju si kryetar i PS a jeni i gatshëm të përballeni me këto akuza dhe si do ti adresoni ato?
Faleminderit për pyetjen dhe pyetja që pason këtë është se përse këto përgjime nuk janë përdorur për të bërë një hetim shterues. Pse qysh prej 216 këto përgjime janë mbajtur mbyllur dhe nuk është bërë asnjë hetim dhe pse këto përgjime të mbyllura janë dërguar tek partia e opozitës dhe pse partia e opozitës këto përgjime i dërgon në Gjermani për t’i paraqitur si zbulime gjermane. Këto nuk janë zbulime gjermane. Këto janë përgjime të prokurorisë shqiptare të cilat në mënyrë të paligjshme janë keqpërdorur duke thyer rëndë sekretin hetimor dhe përgjigja është e dhimbshme por e thjeshtë: përgjimet janë kthyer nga një bazë për të hetuar në ushqim për të helmuar njerëzit dhe për të helmuar opinion ndërkombëtar në prag të çeljes së negociatave. Sepse e gjithë çka po ndodh në Shqipëri është një përpjekje e dëshpëruar për të frenuar çeljene negociatave. Pse? Sepse me çeljen e negociatave fillon bashkëbisedimi për kapitujt e drejtësisë dhe nuk është më çështje se çfarë ligjesh ka Shqipëria dhe si po e pastron sistemin e drejtësisë përmes vettingut, por Shqipëria duhet të provojë se ka një sistem drejtësie që i vendos të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe ndëshkon këdo, që nga më të gjatit gjer tek më të shkurtrit. Që nga më të fortët gjer tek më të dobëtit, kur ata shkelin ligjin,. Dhe këtë e dinë shumë mirë organizatorët e gjithë këtij plani dhe nxitësit e gjithë kësaj dhune.
A mendoni se BE megjithëse vendosi për hapjen e negociatave, dha sinjale pozitive. A mendoni se hezitoi për shkak të zhvillimeve politike dhe krizës në Shqipëri?
Rreziku që ky plan qartësisht antikombëtar të mund të funksionojë është real, sepse në fund të fundit e gjithë kjo që ndodh nuk ndihmon ata që duan të na ndihmojnë dhe ushqen ata që s’duan të na ndihmojnë. Kështu që rreziku është real por përpjekjen do ta bëjmë deri në fund.
Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që kjo krizë të zgjidhet me dialog të brendshëm politik. A keni një ofertë për opozitën dhe ku është kompromisi?
Unë kam insistuar për dialog gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marri fjalën. Këto janë të panegociueshme. Gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme.