Rama: “Paqja Fiskale” nis zbatimin në 2026

EKONOMI


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria synon që projektligji për “Paqen Fiskale” të përmbyllet në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti, në mënyrë që zbatimi i tij të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Rama u takua me ekspertë të financave, ku u diskutua mbi prioritetet kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt BE në 2030-ën.

“Është shumë e rëndësishme që projektligji për “Paqen Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti, në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Unë kam shumë besim se, nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, por gjithashtu do të ndihmojë në rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se qëllimi kryesor i nismës është përmirësimi i performancës së administratës dhe ulja e informalitetit në ekonomi.

Nga ana e tij, ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se objektivi i qeverisë është të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes politikave të qëndrueshme fiskale e monetare, reformave të thella strukturore dhe investimeve strategjike.

“Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz. Përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”, deklaroi Malaj.



Skip to toolbar