Kryeministri Rama vijon fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit në qytetin e Cërrikut. I shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PS dhe njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Taulant Basha, ato zhvilluan një takim me qytetarët e Cërrikut, ku kanë prezantuar kandidatin për kreun e Bashkisë, Andi Salla. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se të vetmet ndërhyrje që janë bërë në qytet kanë qenë në kohën e programit të rilindjes urbane, por që më pas “ora e zhvillimit” të tij ngeci në mes. Kryeministri përsëriti edhe një herë thirrjen për mos cenimin e zgjedhje duke deklaruar se ndëshkimi do të jetë i madh, jo vetëm me burg, por edhe do t’ju ndalohet hyrja në kufijtë e vendeve të BE, jo vetëm personave që kanë bërë krimin, por dhe familjarëve të tyre.
“ E kemi detyrë të lajmërojmë se për çdo krim nga më i vogli që pengon zgjedhjet apo qytetarët të hedhin votën e tyre, do shkojnë parapa hekurave. Kush cenon zgjedhjet do ta ketë përherë të ndaluar të kalojë kufijtë e Bashkimit Europiane dhe jo vetëm ata që kanë dëmtuar procesin demokratik, por dhe anëtarët e familjes së tyre.”- tha Rama
Rama foli edhe për mos pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje duke thwnë se ato kanë frikë nga humbja e tyre dhe zgjedhin të hedhin kapsolla dhe të ulërijnë në rrugë duke mos u përballuar me popullin. Zgjedhjet nuk do të shtyhen dhe se ato janë legjitime edhe pa opozitën, e cila u vetëpërjashtua.
“Ata kanë frikë nga zgjedhjet, prandaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Kanë frikë të dalin para popullit, të thonë çfarë kanë bërë dhe të tregojnë se sa të zotë janë për t’i bërë gjërat që thonë. Në vend të dalin para popullit që t’i thonë pse e duan votën, i kërcënojnë se s’do i lënë të votojnë. Nuk kanë idenë, nuk logjikojnë me argumente dhe prandaj kujtojnë se do imponojnë logjikën e kapsollave dhe të molotovit. Por një gjë ta keni të sigurt, ata janë të lirë që të vendosin për veten e tyre, dhe nëse vendosin që të vrasin vete politikisht nuk i pengojmë dot, por nuk vendosin për asgjë tjetër për Shqipërinë. Ka njerëz që me dashamirësi thonë si mund të bëhen zgjedhjet pa ata. Nëse shkaku i mos hyrjes së tyre në zgjedhje nuk do ishin ata vetë, po ne, atëherë zgjedhjet do ishin antidemokratike. Por ata e vendosën vetë, kështu që zgjedhjet pa ata janë demokratike dhe kush mendon se rruga më e urtë do të ishte që meqë ata kanë dalë mendsh ne duhet ecim me parimin “budallait” hapi rrugë, duhet ta imagjinojë se çdo të thotë kjo. Kjo do të thotë që t’i hapësh rrugë një historie që nuk mbaron më…kështu zgjedhjet kthehen në të drejtën e partive për të luajtur me Kushtetutën si top lecke dhe me popullin si ta kenë ata për mbarë. Zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Imagjinoni ça do të ndodhte sikur ne të pranonin imponinim e logjikës së dhunë, kjo do të thoshte t’i hapim rrugës politikës destructive.’ tha Rama
Kryeministri Rama ka qene edhe në zonën e Belshit ku ka prezantuar kryetarin e kësaj bashkie, Arif Tafanin dhe renditi punët e bëra ndër vite. “Ja ku jemi sot krahasoni Belshin e katër viteve me Belshin që kemi. Askush mos të mendoj që këto mjaftojnë. Askush mos të kujtojë se tani mbaruam punë dhe nuk kemi më punë për të bërë. Sot ka ndodhur e paimagjinueshmja që njerëzit vijnë nga Tirana në Belsh, vijnë dhe të huaj.“