Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, kryeministri Rama ka sqaruar situatën në lidhje me ish gardistin në protestën e 21 janarit Agron Malaj, i cili është edhe kandidati zyrtar i PS për Bashkinë Mat.
Rama tha se Malaj nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 21 janarit as moralisht, por ka qenë pjesë e të larguarve si shumë të tjerë për t’i dhënë mundësinë e transparencës të gjithë procesit.
“Nuk flas shumë shpesh për 21 janarin, kam folur se lindi nevoja për të bërë një krahasim të thjeshtë. E vërteta është që Agron Malaj ka qenë pjesë e Gardës dhe ka qenë pjesë e atij grupi por është e provuar katërcipërisht që nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit. Ju që merreni me informacionin keni të drejtën por edhe detyrën që para se ti vendosni njerëzit në një kornize shabllone të investigoni. Unë i kam bërë investigimet e mia, është larguar si shumë të tjerë po nuk është larguar për të konfirmuar fajësinë morale, po për t’i dhënë mundësinë e transparencës të gjithë procesit. Si mund, në cilën sferë të imagjinatës mund të shkoja unë për të pranuar një person që do ishte fajtor qoftë edhe moralisht në 21 janar. Jo, ka qenë një nga ata njerëz që kanë informuar imtësisht për 21 janarin. Jam shumë i qetë në këtë drejtim.”- tha Rama
Rama bëri edhe një lidhje paralele me protestën e opozitës më 11 maj dhe asaj të socialistëve më 21 janar duke thënë se nuk ka pasur sulme me bomba molotov.
“Thash që në 21 janar nuk është gjuajtur asnjë molotov drejt këtyre mureve, dhe duke parë imazhet pash që ishin djegur edhe 2 kazanë, për të bërë diferencën, jo për të justifikuar djegien. Kryeministria ishte me gardh, si kopsht zoologjik, se ishte luani brenda, e njerëzit rrinin varur mbi kangjella. Këtu vijnë te dera dhe keni parë që vijnë edhe të zhveshur me mbërthim zbërthim pantallona. Kështu sepse jemi ndryshe.” – tha kryeministri