Kreu i qeverisë shqiptare është i bindur në iniciativën për të krijuar një “Schengen” ballkanik, ndonëse forca politike, e cila paraprakisht është shpallur fituese në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë dhe pritet të krijojë qeverinë e re, është kundër këtij projekti.
Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, Edi Rama dhe Zoran Zaev, mbërritën në Beograd pasditen e së mërkurës dhe u pritën nga Ministrja e Integrimeve Evropiane Jadranka Joksimovic në Aeroportin “Nikolla Tesla”. Të dy kryeministrat do të marrin pjesë në një takim trepalësh me ftesë dhe iniciativë të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç të enjten në Novi Sad, ku tema kryesore do të jetë një “Schengen” i vogël ballkanik, me qëllim integrimin më të mirë të tregjeve në rajon, heqjen e pengesa doganore për mallrat dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.
Të enjten e kaluar, Kryeministri Rama deklaroi në Real Story të Sokol Ballës se vijon t’i qëndrojë idesë për heqjen e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe nëse mund të ketë kosto për tregjet vendase. Gazetari Balla këmbënguli nëse kjo mund të dëmtojë tregun shqiptar dhe atë kosovar, duke përmendur edhe shembullin e taksës së vendosur nga qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj për produktet serbe, konkretisht ilaçet që vinin nga Serbia, të cilat hynin në Kosovë me çmim më të lirë dhe me cilësi më të lartë. Por, Rama deklaroi se kjo nuk dëmton qytetarët.
Por, ndonëse Kryeministri Rama nuk heq dorë nga ideja e zonës Schengen në Ballkan, Lëvizja Vetëvendosje nuk e shikon me optimizëm këtë lëvizje, të paktën ashtu siç është parashtruar deri më sot nga kreu i qeverisë shqiptare. Arbër Zaimi, Koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, u shpreh po në “Real Story” se në Kosovë, kjo nismë shikohet me skepticizëm dhe nuk ka mbështetje. “Është si një Jugosllavi minus 2, plus Shqipërinë. Kjo nuk shihet me shumë kënaqësi në Kosovë”, tha Zaimi.