Rama uron Kadarenë dhe falënderon Macron për titullin

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama ka uruar shkrimtarin e njohur Ismail Kadare për titullin e marrë,  ‘Oficer i Madh i Legjionit te Nderit’, si dhe ka falënderuar Presidentin e Francës, Emanuel Macron që zgjodhi ditën e parë të vitit 2020 për të dhënë këtë vlerësim. Ndërsa vlerëson maksimalisht Kadarenë, Rama shkruan se ky titull është i mirënjohur e admiruar në tërë botë dhe është nder që nga sot e tutje e ka edhe një shqiptar.

“Ismail Kadare shkruan diku, se ‘në ndryshim nga pasuritë materiale që çdo vend i gëzon për vete, vlerat shpirtërore u binden të tjera ligjeve. Nuk ka popull që të krijojë të tilla vetëm për vete’. Urdhri Kombëtar i Legjionit të Nderit, themeluar nga Napoleon Bonaparti më 1802, duket sikur e ka në gjenezën e vet çka shkruan Ismaili mbi “ligjet e tjera” dhe edhe pse specifikisht frëng, ai urdhër botërisht i mirënjohur e admiruar, i përket tërë botës. Nën ato ‘ligje’, prej më se 23 vitesh Franca e ka adoptuar e ngjitur shkrimtarin shqiptar në shkallët e shoqërisë prestigjioze kalorsiake të Legjionit të Nderit, ku ajo radhit ata që më fort respekton në këtë rruzull. Dhe sot Ismail Kadareja është ngjitur në shkallën e Oficerit të Madh të këtij urdhri – kështu ai bëhet pjesë e një rrethi fare të ngushtë personalitetesh me këtë titull, në mbarë botën. Më 1802 themeluesi i Legjionit të Nderit, Napoleon Bonaparti, shprehej: ‘Duhet krijuar një urdhër që të shënjojë virtytin, nderin dhe heroizmin, një shquarsi që të shpërblejë bravurën dhe përmbledhë në rrethin e vet, elitën e kombit. Një urim të përzemërt Ismailit dhe një falënderim Presidentit të Republikës Franceze, i cili çmoi lart në këtë ditë të parë të dekadës së re një shqiptar që i përket Francës e krejt botës, me plot meritë”, shkruan Rama.



Skip to toolbar