Deportohet turku, u kap me letra false. Gylenistët: Është njeriu ynë

#NËRADAR


Një mësues turk, 42 vjeç, i cili pretendohet se është mbështetës i lëvizjes Gylen, megjithëse nuk rezulton në kërkim ndërkombëtar dhe vetë ai nuk ka pasur ndonjë pretendim sipas dokumenteve të firmosura, është deportuar pasditen e 1 janarit nga policia shqiptare drejt Turqisë.

Shtetasi turk, i identifikuar si Harun Çelik ishte kapur në muajin korrik në Rinas me dokumente false, teksa tentoi të kalonte tranzit me dokumente false drejt Italisë dhe në përfundim të dënimit, mësohet se autoritetet shqiptare e kanë deportuar drejt Turqisë. Sipas të dhënave, 42-vjeçari Çelik është kapur rreth pesë muaj më parë, pasi gjatë kontrollit në Rinas, në pasaportën e tij është gjetur një vizë kanadeze, e cila dyshohej se ishte e falsifikuar. Policia ka vendosur menjëherë arrestimin e tij, ndërsa prokuroria e ka dërguar në gjykatë për mbajtje të dokumenteve false. Sipas të dhënave nga gjykata, Çelik është dënuar me 5 muaj burg dhe pikërisht më 1 janar 2020 ka përfunduar dënimin, të cilin e vuante në burgun 302 në Tiranë.


Menjëherë pas kryerjes së dënimit, autoritetet e burgut kanë kryer veprimet për lirimin e tij, por Drejtoria e Emigracionit, e cila ka selinë e vet në Laprakë, ka marrë në dorëzim turkun, pasi rezultonte se ai kishte hyrë në Shqipëri ilegalisht dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare deportohet në vendin nga ka ardhur në Shqipëri. Burime të larta zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme shpjeguan se pranë Drejtorisë së Emigracionit janë kryer të gjitha procedurat dhe turku 42-vjeçar nuk ka paraqitur asnjë pretendim dhe nuk ka kërkuar azil në Shqipëri. “Në këto kushte, me firmosjen e dokumentit nga ana e tij, autoritetet shqiptare e kanë deportuar menjëherë nëpërmjet Rinasit”, deklaroi burimi i lartë zyrtar.

Forcat e policisë në momentin e deportimit të shtetasit turk

Por, burime serioze nga njerëz te njohur si të Gylen në Shqipëri, thonë se mësuesi Harun Çelik është njeri i tyre, megjithëse nga verifikimet rezulton se ai nuk ka qenë në kërkim ndërkombëtar dhe i vetmi proces në vendin tonë për të ka qenë hyrja ilegalisht dhe me dokumente false në territorin shqiptar. Megjithatë, që në tetor të vitit 2018, Turqia ka sjellë një listë me gylenistët e kërkuar, por emri i tij nuk ka rezultuar në këtë listë. Në një letër të KE, dërguar Mehemet Kilic, i Fondacionit të gazetarëve dhe shkrimtarëve në Nju Jork, ngrihet pikërisht pretendimi i këtij fondacioni për një rast në Shqipëri dhe një në Bosnje. Michela Matuella shprehet se Komisioni ruan rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore. “Kjo përfshin të drejtën e çdo individi për një gjykim të drejtë dhe për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare dhe për të marrë ndihmë juridike gjatë procedurave të azilit, në rast të frikës për sigurinë në vendin e origjinës. Ju lutemi vini re se, në rastin specifik të Shqipërisë, Komisioni tashmë vuri në dukje në raportin e saj për Shqipërinë 2019, që Turqia po rrit presionin ndaj Shqipërisë për të ofruar çmontimin e të ashtuquajturave strukturat e lëvizjes Gylen në vend. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, përmes instrumenteve të ndryshme në kuadrin e Procesit të Stabilizim-Asociimit”, thuhet në letrën e Komisionit Europian. Por, nëse mësuesi 42-vjeçar është vërtetë mbështetës i lëvizjes Gylen, atëherë ai bëhet gylenisti i parë turk që deportohet nga Shqipëria drejt Turqisë. Realstory.al




Skip to toolbar