Zyra e Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, e ngritur pas tërmetit të 26 nëntorit ka nxjerrë raportin ditor, ku rezulton se nga verifikimi i kryer nga ekspertët në terren janë 202 banesa dhe 9 pallate të pabanueshme në 5 bashki, pa përfshirë këtu kryeqytetin, ndërkohë që janë shembur nga forcat e IKMT 39 objekte, të cilat edhe ato kanë rezultuar të pabanueshme.
Nga raporti i nxjerrë të dielën vihet re se verifikimet e grupeve të punës, janë kryer në bashkitë Durrës, Krujë, Lezhë, Dibër dhe Shkodër. Nga shifrat e publikuara vihet re se në Bashkinë Durrës janë të pabanueshme 36 banesa dhe 9 pallate. Sa i përket banesave, 17 janë në Durrës, 12 në Manëz dhe 7 në Rrashbull. Kurse në Bashkinë Krujë rezulton se deri tani janë verifikuar 104 banesa të dëmtuara rëndë, për të cilat ekspertët janë shprehur se janë të pabanueshme.
Dëmet në tre bashkitë e tjera, të paktën nga ato që janë verifikuar, rezultojnë më të vogla, konkretisht, 31 banesa të pabanueshme në Lezhë, 28 në Shkodër dhe 3 në Dibër. Në këtë raport të publikuar nga Zyra e Drejtuesit Qendror të Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, nuk janë përfshirë verifikimet e kryera në Tiranë për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.
Ndërkaq, raportohet se deri tani janë 39 objekte të shembura në Durrës dhe në Krujë. Sipas Zyrës së Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore janë 4200 banorë që janë të akomoduar në hotele dhe po u dorëzohen nga ekspertët akt-konstatimet e objekteve për shtëpi dhe apartamente, të cilat janë të banueshme. “Banorët nuk vijnë në institucione për të mësuar mbi rezultatin e akt-konstatimit, por shkojnë vetë ekspertët në hotelet ku janë akomoduar”, thuhet në raport.