Basha kujton 8 Dhjetorin me të rinjtë në Kurbin dhe sulmon qeverinë

POLITIKË


 “Ky 8 Dhjetor, Dita e Rinisë na bën krenarë për rininë tonë. 29 vite më parë të rinjtë u ngritën të parët në Lëvizjen e Dhjetorit që solli demokracinë; sot pas tragjedisë që goditi vendin, të rinjtë ishin të parët që u erdhën në ndihmë njerëzve dhe të parët që nisën mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave”. Kështu e ka kujtuar 8 Dhjetorin kreu i opozitës, Lulzim Basha, gjatë fjalës që ka mbajtur gjatë një vizite në Kurbin, ku të rinjtë, vullnetarisht po u japin ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

Por, kreu i opozitës nuk ka harruar të bëjë dhe politikë në këtë ditë, duke sulmuar qeverinë pas pasojave të tërmetit. “Dhimbja e këtyre banorëve, të cilët shteti i ka harruar dhe braktisur, është zbutur nga të rinjtë që u vijnë në ndihmë duke vendosur gjithçka në dispozicion të të dëmtuarve. Kjo tragjedi zhveshi nga propaganda gjendjen e vërtetë të vendit, të Shqipërisë së varfër, të vjedhur dhe abuzuar”, akuzoi Basha nga Kurbini.


Në fund të reagimit të tij, Basha kujtoi heronjtë e 8 dhjetorit, duke përmendur dhe Azem Hajdarin. “Nderim përjetë heronjve të 8 dhjetorit 1990 me në krye Azem Hajdarin që u ngritën mbi frikën dhe me kurajë e vizion diktuan rënien e diktaturës dhe lindjen e demokracisë shqiptare”, deklaroi kreu i opozitës.




Skip to toolbar