Partia Demokratike ka dalë hapur kundër Reformës në Drejtësi, duke akuzuar institucionet e reja të ngritura prej saj KLP dhe SPAK. Pas deklaratës së KLP se të gjithë prokurorët e SPAK kanë kaluar në hetime të imtësishme në 4 rrafshe për sa i përket të kaluarës dhe integriteti të tyre për të mbajtur një rol të tillë, i është përgjigjur Partia Demokratike duke hedhur akuza të forta ndaj këtij institucioni dhe kreut të saj. Pas akuzave që hodhi për kreun e SPAK, Arben Krajën si një si sigurims dhe hetues i komunizmit, PD akuzon edhe kreun e KLP, Gent Ibrahimi si militant i PS dhe se ky institucion është i kapur nga pushteti.
PD ka dënuar deklaratën e KLP duke i dalë në mbrojtje Arben Krajës, ndërsa i ka kërkuar KLP se e kishat detyrim të sajin që të zbardhte njëherë e mirë nëse personi në foto së bashku me Ulsi Manjën është kreu i SPAK apo jo.
“Partia Demokratike dënon përpjekjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të mashtruar qytetarët dhe për të devijuar arsyen e vërtetë të shqetësimit të opinionit publik mbi të kaluarën si hetues politik i diktaturës për Drejtuesin e SPAK dhe për takimin e pajustifikuar të një anëtari të SPAK-ut me Ulsi Manjën e PS. Reagime të tilla të dënueshme janë të pritshme nga një organ si KLP, që është nën drejtimin e militantit të PS Gent Ibrahimi dhe me shumicën e anëtarëve të kontrolluar nga pushteti dhe të zgjedhur në mënyrë të paligjshme.
Prokurorët e SPAK kanë kaluar të njëjtin proces të vetingut, siç kanë kaluar me dhjetëra prokurorë e gjyqtarë të tjerë. Në thelb, kjo është një përpjekje e KLP-së për të mashtruar qytetarët me teknikalitete të panjohura për ta, në një kohë kur sondazhet tregojnë rënie të besimit të opinionit publik tek vettingu. KLP kishte detyrimin të informonte opinionin publik, nëse Arben Kraja, Drejtues i SPAK, ka qenë apo jo hetues i regjimit gjakatar komunist përpara viteve 1990 në gjyqe politike?
KLP duhet të mbante qëndrim, nëse për të është e pranueshme që në vitin 2020 drejtësia e re të bëhet me hetues të regjimit komunist. Kjo është njësoj sikur drejtësinë në Gjermani ta jepte një prokuror që i shërbeu Hitlerit deri në momentet e fundit para dorëzimit të Berlinit.
KLP ka detyrimin të informojë opinionin publik, nëse Altin Dumani, prokuror i SPAK, është apo jo personi në foto, i raportuar nga media që një ditë përpara se KLP e partisë të votonte Drejtuesin e SPAK, kërkonte mbështetjen e përfaqësuesit të Partisë Socialiste Ulsi Manja. Drejtësia nuk mund të bëhet me shërbëtorë të rinj të partisë së vjetër në pushtet” thotë PD në deklaratën e saj shpërndarë për mediat.
Partia Demokratike akuzon dhe kryeministrin Rama se po kërkon të ndërtojë një drejtësi që i shërben atij dhe jo qytetarëve. PD i bën thirrje prokurorëve, mes tyre dhe Arben Krajës, që të heqin dorë nga SPAK nëse integriteti i tyre është vënë në dyshim publikisht, në mënyrë që të ruajnë imazhin dhe besueshmërinë e institucionit.
“ Shqipëria ka kapacitete për të ofruar një drejtësi normale, pa lidhje me politikën, pa lidhje me komunizmin, pa lidhje me Qeverinë. Shqipëria ka juristë, prokurorë e gjyqtarë të kualifikuar dhe me integritet, që mund t’i shërbejnë vendit në organet e reja të sistemit të drejtësisë. Problemi është se këtë drejtësi nuk e do Edi Rama. Rama nuk ka ndërmend të lejojë ndërtimin e një drejtësie më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris.
Partia Demokratike kërkon që, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eliminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshmëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK. Mbi interesin personal dhe politik, në këtë moment, duhet të prevalojë, nevoja për të ruajtur të paprekur imazhin, integritetin dhe besimin tek SPAK” shprehet PD.