Trajneri i Kombëtares, Eduardo Reja, ka kërkuar 11 luanë në fushën e lojës nesër kundër Francës, i vetëdijshëm se për një rezultat pozitiv në “Stade te France”, kuqezinjtë duhet të japin 110% nga vetja e tyre për të siguruar një rezultat që do t’i mbante ende në korsinë e kualifikimit. Reja shfaqet i kujdesshëm në konferencën për shtyp, shmang euforinë, vlerëson rivalin dhe trajnerin Deshamp, ndërsa thekson se Shqipëria duhet të shfrytëzojë çdo mundësi përballë Francës.
I pyetur për këshillat që u jepte lojtarëve që do të zbresin në fushën e blertë, tekniku italian tha se që si fillim mos të bëjnë asnjë gabim, të lënë pak hapësira dhe se duhet të jemi shumë mirë fizikisht. “Sado hapësirë të vogël të gjejnë ata e shfrytëzojnë shumë mirë. Ne duhet të jemi gati, në çdo moment dhe gabim që të bëjnë ata”, u shpreh Reja.
Megjithatë, ai nuk ka arritur të gjejë një pikë të dobët te Franca veç gabimit të mundshëm, duke u hedhur në sulm, por që sipas tij, Deshamp nuk do e bëjë këtë gafë. “Deshamp është një mik për mua, është një trajner i madh dhe kam respekt. Ai nuk do të rrezikojë duke hedhur lojtarët në sulm, por do kërkojë ekuilibër. Ai ka lojtarë shumë të mirë që dinë të shfrytëzojnë hapësirat dhe kanë një kundërsulm të shpejtë. Me siguri do na duhet shpejtësi dhe agresivitet në markim. Spikat Grizman nga ata, është kyç në sulmin e tyre dhe mund të krijojë situata të rrezikshme nga pothuajse asgjë. Duhet ta markojmë në gjithë perimetrin e fushës”, deklaroi tekniku italian.
Ai vuri në dukje se do të mbështesë mbrojtjen shumë te Hysaj, për të cilin tha se është një lojtar i madh dhe ka eksperiencë të madhe, por nuk mjafton vetëm Hysaj. Ai shtoi se të shtunën duhet të kemi një 11-she të denjë, duhet të markojmë, të dublojmë. “Do të fillojmë ndeshjen të mbyllur, por ne gradualisht do tentojmë maksimumin, dhe do tentojmë mos të rrimë gjithë ndeshjen në mbrojtje. Dua 11 luanë nesër në fushë dhe duhet të jenë lojtarët të motivuar”, tha Edy Reja ndërsa shtoi se njohja e ekipit tonë nga Deshamp është një lajm i keq, “pasi sa më pak të na njohin aq më mirë për ne”. “Ai do ta impostojë skuadrën që ta imponojë lojën Franca. Më vjen mirë që ai ka respekt për skuadrën tonë. Që kur kam ardhur unë, skuadra është e organizuar mirë, Në Islandë luajtëm mirë, me Moldavinë fituam dhe çdo ndeshje do të merret më vete, nesër është shumë e vështirë do mundohemi të dalim me pikë nga fusha e lojës. Kemi provuar këtë javë, ata kanë lojtarë shumë të mirë në ajër, por edhe ne kemi lojtarë të mirë në këtë aspekt. Ajo që do mundohemi të bëjmë, është ta vendosim dhe ne në vështirësi skuadrën franceze, me centimetrat dhe muskujt tanë”, tha në konferencë tekniku i kombëtares kuqezi.