Mavraj, dyshues për Francën: Mungesat nuk do ndikojnë

SPORT


Kapiteni i Shqipërisë, Mërgim Mavraj, ndryshe nga trajner Reja, i cili u kërkoi kuqezinjve që nesër të shfaqen si luanë në fushë, është treguar më i zbutur se tekniku, duke u shprehur se do jetë ndeshje e vështirë dhe që mungesat te kombëtarja e “gjelave” nuk do ndikojnë tek ata.  Mavraj ka qenë pjesë e konferencës për shtyp bashkë me trajnerin Edy Reja para ndeshjes me kampionët e botës.

Mbrojtësi 33- vjeçar ka vlerësuar Francën maksimalisht, pasi është përballur tre herë më parë ndaj tyre. “E kemi të vështirë që nesër të fitojmë. Edhe mungesat që kanë do të zëvendësohen me cilësi të lartë”, tha Mavraj, megjithëse shtoi “Por ne kemi treguar më parë që i kemi hapur probleme dhe vështirësi ekipeve të mëdha”.


Kapiteni beson se ekipi e di se çfarë duhet bërë për të hapur vështirësi. “Duhet të luajmë me vetëbesim dhe fokus maksimal, pak gabime pasi nga çdo gabim mund të penalizohemi. Por mendoj se jemi gati për të bërë një luftë të bukur”, tha Mavraj.

Po ashtu kapiteni tha se Shqipëria nuk do të falë asnjë ndeshje pasi kombëtarja nuk është në situatën për të neglizhuar. “Si ndeshja me Francën dhe Islandën luhen për 3 pikë. Nuk falim asnjë ndeshje. Islanda është një kundërshtar i barabartë por mendoj se nesër është një mundësi e mirë dhe për lojtarët e rinj. Unë për vete nuk futem në fushë për të falur. Shqipëria pavarësisht me kë përballet duhet të luajë për të fituar. Nuk jemi në situatën që për një ndeshje të neglizhojmë për një ndeshje tjetër të angazhohemi”, shtoi Mavraj para ndeshjes me Francën.




Skip to toolbar