Reja provon skemën taktike në Gjermani, të enjten niset drejt Islandës

KOMBËTARE


Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbyllur pasditen e të mërkurës përgatitjet për ndeshjen e eleminatore ndaj Islandës, që do të luhet më 8 qershor.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edy Reja u kanë dhënë fund përgatitjeve në Frankfurt të Gjermanisë, aty ku prej fillimit të këtij muaji kombëtarja vijonte stërvitjen dhe njëherazi përshtatej me klimën.

Gjatë programit stërvitor të së mërkurës, kombëtarja është stërvitur mbi 90 minuta në fushën e FC Oberstedten, ndërsa janë aplikuar variante taktike të vendosjes së lojtarëve në fushë, në prag të ndeshjes me Islandën.

Pas mbylljes së stërvitjes, falënderimit të punëtorëve të fushës dhe një foto të përbashkët me ekipet e moshave të FC Oberstedten, skuadra është bërë gati për nisjen drejt Rekjavikut në Islandë. Ndërkohë,  gjatë mesditës të së mërkurës Edy Reja ka zhvilluar dhe një analizë taktike me skuadrën.

Të enjten në orën 08:15, kombëtarja lë rezidencen e saj të përkoheshme, hotel “The Rilano”, për të shkuar në aeroportin e Frankfurtit. Rreth orës 11:40, kuqezinjtë nisen për në Rejkjavik.



Skip to toolbar