Pas arrestimit të vrasësit Tesi Basho, shtatë persona të tjerë nga Selenica u arrestuan gjatë operacionit të specialeve në Vlorë, kurse tre të tjerë janë në kërkim. Të gjithë këta akuzohen për aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.
Sipas drejtorit të Policisë Vlorë, Artion Duka, janë dashur gjashtë muaj hetime e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me prokurorinë për të kapur këta persona të cilët njihen si kultivues dhe trafikues të kanabis sativa. Sikurse Selenica është cilësuar zonë me risk të lartë kriminal. Në pranga kanë rënë shtetasit Çerçiz Velaj, Enton Likaj, Daniel Nikaj, Altin (Shkëlzen) Veizaj, Antonio Veizaj, Mario Veizaj dhe Romeo Lika.
“Ky operacion është realizuar në kuadër të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, të cilat kanë zgjatur për një periudhë 6-mujore. Operacioni është përqendruar në dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal kryesisht kundër kultivimit të bimëve narkotike, por edhe veprave të tjera penale si prodhimi dhe shitja e narkotikëve, Shpërdorimi i detyrës, Armëmbajtja pa leje dhe Moskallëzimi i krimit”, deklaroi drejtori Duka.
Sipas Drejtorit të Policisë së Vlorës në vazhdimësi të hetimit ndaj këtyre personave janë evidentuar edhe 24 raste të kultivimit të bimëve narkotike në 5 njësi të ndryshme administrative, Armen, Sevaster, Brataj, Kotë dhe Vllahinë. Në lidhje me këto raste janë arrestuar 8 persona, proceduar 4 dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë. Duka tha se po vazhdon hetimi për dokumentimin e plotë ligjor të personave të tjerë të përshirë në këtë aktivitet kriminal.