Reuters: Macron, drejt përplasjes me Merkel për negociatat

POLITIKË


Presidenti francez Emmanuel Macron po shkon drejt një përplasje me kancelaren gjermane Angela Merkel këtë javë, pasi Paris u izolua të martën në kundërshtimin e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Kështu shkruan Reuters, e cila shton se Danimarka dhe Holanda u bashkuan me refuzimin francez për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë në takimin e ministrave të BE-së në Luksemburg, i cili përfundoi pa asnjë marrëveshje për çështjen që do të kërkonte mbështetje unanime të të gjitha 28 shteteve të BE-së.

“Më vjen keq shumë që vendet anëtare nuk mund të marrin një vendim”, tha i mërzitur  Johannes Hahn, duke shtuar se nuk është një moment lavdie për Evropën. “Ne duhet të rivendosim besueshmërinë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe t’i zbatojmë angazhimet tona. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë dhe kanë zbatuar reforma të dhimbshme”, tha ai pasi shtetet e BE u larguan pa një vendim për herë të tretë për një vit e gjysmë.

Por Franca injoroi mbështetjen e gjerë midis shteteve të BE për t’u dhënë dritë jeshile vendeve që qëndrojnë në një rajon strategjik. Amelie de Montchalin, Ministre e çështjeve evropiane të Francës, tha që nuk mund të ketë rrugëdalje para një reforme brenda BE-së.

Në Paris, një zyrtar i presidencës franceze tha se qeveria e Macron nuk do të pajtohej të hapte bisedimet tani. “Këto vende do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian një ditë … por është shumë herët për të hapur procesin ligjor drejt zgjerimit”, tha zyrtari presidencial.

Franca thotë se BE përballet me shumë sfida – përfshirë daljen e planifikuar të Britanisë, Kinën, migracionin dhe kërcënimet e sigurisë të paraqitura nga Rusia – për të lejuar dhe dy shtete të tjera nga Ballkani, një rajon ende i skalitur nga trashëgimia e luftërave të viteve 1990 dhe që po lufton ende me krimin dhe korrupsionin.

Por qëndrimi francez ka ngritur shqetësime për vonesa të mëtutjeshme në një proces tashmë të zgjatur që mund të shkaktojë nxitje të shteteve të Ballkanit për të kultivuar lidhje më të ngushta me Rusinë, Turqinë ose Kinën.

Në Berlin, një zyrtar qeveritar tha se ishte çështje parësore për Gjermaninë, e cila do të mbajë të mërkurën samitin e saj vjetor me Francën. “Kancelarja Angel Merkel do të shtrojë çështjen me Macron të mërkurën” tha zyrtari, duke shtuar se ajo gjithashtu do të ngrejë çështjen në një samit me 28 liderët në Bruksel të enjten dhe të premten”, tha zyrtari.

Në takimin e Luksemburgut në një moment u diskutua edhe që të shkohet përpara me Shkupin, por jo me Tiranën, por Parisi bllokoi edhe atë përpjekje.

Gjashtë vendet e Ballkanit të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, të gjitha përveç Shqipërisë që dolën nga shpërbërja e viteve 1990 të Jugosllavisë, konsiderohen anëtare të ardhshme të BE-së.



Skip to toolbar