Ish drejtuesi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Fatos Klosi thotë se opozita po bën “autogol” me veprimet e saj në Kuvend, duke përmbysur karriget dhe ndezur flakadanë, për të bllokuar punimet e seancave plenare.
Në një intervistë për ABC News, Klosi u shpreh se Sali Berisha dhe deputetët që e mbështesin, kanë zgjedhur këtë rrugë, pasi nuk mbledhin dot njerëz për të zhvilluar një protestë.
Sipas tij, aksioni i fundit lidhet edhe me problemet familjare që ka Berisha, pasi ky i fundit akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish kompleksit Partizani, për të cilën, është arrestuar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
“Të gjithë e kanë një koment, edhe unë e kam komentin tim. Po zhvillohet një protestë nga opozita, meqënëse ata nuk po marin pjesë në parlament, kanë kritikuar Lulin se iku nga parlamenti. Për hallin e tyre, nuk po marrin pjesë, nuk po e dëgjon njeri.
Pozita po e vazhdon punën, por opozita ka nevojë për seancat e parlamentit, të thotë fjalën e saj. Me këtë rrrugë nuk do të zgjidhë asgjë. Ata po përsërisin atë që ka ndodhur 2-3 vite më parë. Ata, të paktën Berisha, thotë do bëjnë protesta, jam i sigurt se ata nuk po mbledhin dot njerëz. Sa njerëz i shkojnë mbrapa?
Me protesta në parlament janë persona, që marrin rrogën. Po bëjnë protesta në parlament se nuk bëjnë dot në rrugë. Kjo lidhet me probleme famlijare, janë tërhequr njerëzit. Nuk shkojnë njerëzit mish për top më. Nuk bindin më njeri. E kanë zgjedhur gabim rrugën, më shumë njerëz largohen prej tyre.
Këta do na qeverisin? Njerëz që zgjidhjen e vetme, në një situatë të vështirë, zgjidhja e tyre është të përmbysen karrige, flakadanë, askush nuk e beson se po të jenë në pushtet do të jenë më të zotë se kaq. Për mua është autogol. Të pengosh parlamentin nuk është zgjidhje, këta kanë nevojë për parlamentin.
Me këtë rrugë, askush nuk i beson. Nëse për hallin tënd ke zgjidhur këtë rrugë, nuk besoj për hallet e popullit. Këtë që po bëjnë e kanë gabim. Nuk kanë siguri, janë shumë njerëz që knaë përfituar nga pushteti i Berishës. Ata shpresojnë se nesër mund të përfitojnë sërish. Për të ardhur në pushtet duhen 800 mijë vota, ata janë shumë pak. Nuk vihet me militantë në pushtet, vihet me votat e popullit. Populli, kam frikë se po tërhiqet prej tyre, prandaj kanë zgjedhur rrugën e gabuar”, theksoi ai.