Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për rekrutimin e 100 studentëve, që kanë përfunduar dy ciklet e studimeve të larta, të cilët do të aplikojnë në kursin për oficerët e rinj të strukturave hetimore në Policinë e Shtetit. Nga një njoftim publik, mësohet se uniformat Blu do t`i nënshtrohen një revolucioni të gjerë, jo vetëm në punonjësit e shërbimeve të ndryshme të terrenit, por edhe në strukturat hetimore, që janë pjesë e policisë. Sipas njoftimit, mësohet se studentët kandidat që mund të aplikojnë për të kryer kursin e policisë, sapo të përfundojnë këtë nivel bazë formimi, do të emërohen në strukturat hetimoret të Policisë së Shtetit, dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.
Aplikantët mund të aplikojnë në drejtoritë vendore të policisë dhe komisariate, ku duhet të dorëzojnë dokumentet përkatëse, sipas kritereve të vendosura nga policia e shtetit. Në këtë kurs do të pranohen vetëm 100 studentë, të cilët më herët kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare, kryesisht në degët e ekonomisë, financës, shkenca kompjuterik dhe ato juridike.
Një nga kriteret e veçanta, që studentët duhet të plotësojnë për t`u bërë pjesë e këtij kursi, është mesatarja e dy cikleve të studimit, e cila duhet të jetë mbi notën ‘8’. Gjithashtu janë dhe disa kritetere të tjera, përshirë parametrat fizik, statusin penal, gjuhët e huaja, etj. Ky është kursi i dytë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.