Kokaina me vlerë 50 milionë euro, Policia e Shtetit tregon rolin që pati në operacion

Policia greke finalizoi një operacion të madh kundër drogës të shtunën, duke sekuestruar një sasi prej 1181 kg kokainë e pastër, vlera e së cilës llogaritej në mbi 50 milionë euro. Në pranga u vunë disa shtetas shqiptarë, të njohur për aktivitetin e tyre kriminal në Greqi. Operacioni i bujshëm nuk ishte vetëm rezultat i hetimeve të autoriteve ligjzbatuese greke.

Në të, veç DEA-s amerikane, që dha e para sinjalin për zbulimin e drogës, është përfshirë dhe Policia e Shtetit Shqiptar. Në një komunikatë për shtyp, Policia e Shtetit tregoi rolin që pati në këtë aksion, duke u shprehur se luajti rol të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë me hetime proaktive.

“Në këtë operacion Policia e Shtetit shqiptar mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me hetime pro-aktive që u zhvilluan duke dhënë një ndihmesë dhe kontribut në  identifikimin e personave të organizatës, roleve te tyre individuale dhe në mënyrën e funksionimit të  organizatës kriminale, gjë që na mundësoi të identifikohen dhe konstatohej plotësisht përbërja dhe veprimtaria e saj.

Operacioni është në vijim dhe Policia e Shtetit është duke kryer detyrat e saj në  bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë operacion  për identifikimin e persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në komunikatë.

Shkelën rregullat Schengen, kthehen 36 shqiptarë

Vijon riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian. Të dielën u riatdhesuan 36 shtetas shqiptarë, të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil në Francë dhe Belgjikë.

Sipas Policisë së Shtetit, këta shtetas kishin kërkuar azil, por kërkesa ishte refuzuar nga Franca dhe Belgjika, dy vendet nga u riatdhesuan 36 shqiptarët.

Gjithashtu, disa nga shtetasit e riatdhesuar kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, duke i rikthyer në Shqipëri.

Ndërkohë, Policia Kufitare ka forcuar  kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka shtuar patrullat  në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero.

Kapet banda me drogë dhe arsenal armësh

Policia e Shtetit vuri në pranga dy persona, ndërsa një tjetër u procedua në gjendje të lirë, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe mbajtje të armëve pa leje. Konkretisht, u arrestuan shtetasit me inicialet A. L., 54 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.

Arrestimi u bë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike. Gjithashtu u arrestua shtetasi E. K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi D. K., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë Kufitare pas njoftimit të dhënë nga Sektori i Narkotikëvë në Policinë e Tiranës, është bërë ndalimi i automjetit tip autoveturë i markës Mercedes Benz, me drejtues shtetasin A. L.

Pas kontrollit të këtij automjeti, në pjesën e dyshemesë poshtë sediljes së shoferit është konstatuar një hapje e strukturës metalike, në brendësi të së cilës janë gjetur 19 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me peshë 13 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe dy celularë.

Po në vazhdën e këtij procedimi penal, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Shefqet Kuka”, Tiranë, është ushtuar kontroll në banesat e shtetasve E. K. dhe D. K. Gjatë kontrollit në ambientet pranë banesës së shtetasit E. K. është gjetur një armë armë zjarri kallashnikov. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. K. në ambientet e banesës së këtij shtetasi u gjetën dy armë gjahu, për të cilat nuk dispononte leje. Armët e zjarrit dhe armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të shtetasit E. K. dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit D. K.

Sirenat ndezur në solidaritet me policët italianë

Policia e Shtetit është venduar para ambasadës së Italisë në Tiranë dhe ka mbajtur sirenat e saj nderuar për një minutë. Kjo mund të ketë çuditur kalimtarët e rastit, por në fakt u bë për një arsye solidariteti me policinë italiane, që humbi dy efektivë të saj dy ditë më parë.

Policia e Shtetit në solidaritet me Policinë italiane, në shenjë respekti për dy punonjësit e policisë italiane, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës, në Trieste të Italisë, paraditen e sotme organizoi një ceremoi para Ambasadës Italiane në Tiranë.Punonjësit e Policisë kanë mbajtur drejtqëndrim dhe për një minutë kanë mbajtur ndezuar sirenat e Policisë.Ambasadori SH. T. Z. Alberto Cutillo ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Policisë për këtë gjest solidariteti.

Gepostet von Policia e Shtetit am Sonntag, 6. Oktober 2019

Për këtë shenjë solidariteti ka shprehur falenderim dhe mirënjohje edhe ambasadori italian Alberto Cutillo.

Dy policët italianë u vranë në krye të detyrës nga dy vëllezër hajdutë, që ishin arrestuar. Ngjarja ndodhi brenda komisariatit të Triestes në Itali.

Veliu lëviz drejtorët e Policisë

Dita e premte është shoqëruar me disa ndryshime në radhët e drejtuese të Policisë së Shtetit në disa qarqe të vendit. Sipas gazetares Klodiana Lala, me firmën e drejtorit të përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu janë bërë disa shkarkime dhe më pas zëvendësime të tyre me emra të tjerë.

Konkretisht është larguar nga posti i tij Mitat Tola, drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, i cili ka kaluar në postin e shefit të sektorit në Policinë rrugore. Në vend të tij është emëruar Edmond Targaj, i cili ka mbajtur detyrën e shefit të qarkullimit në Dibër, si dhe Shef i Sektorit të Forcave Operacionale Lëvizëse, Tiranë.

Në Lezhë, është larguar drejtori i Policisë, Ferdinand Mara dhe në vend të tij është emëruar Erigert Mitri, i cili ishte shefi i Komisariatit të Fierit.

Përhapën panik, policia shoqëron gazetarët e tërmeteve fake

Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.

Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që  do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët.

Gjatë mbrëmjes së të dielës lajmi se do të ketë tërmet në orën 23.30 shkaktoi panik te banorët, shumica e të cilëve dolën në rrugë dhe në sheshe.

Goditja e 4 bandave, Lleshaj: Pranga 170 personave, sekuestruam 55 mln euro

Operacionin “LIMIT” e ka përshëndetur Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili e ka quajtur sukses shumë të madh të Policisë së Shtetit. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Leshaj shkruaj se ky operacion vjen në kuadër të një serie goditjesh ndaj krimit të organizuar këtë vit. “Operacioni ndërkombëtar “LIMIT” shkatërroi sot katër grupe te organizuara kriminale me veprimtari në fushën e narkotikëve. 57 persona, në Greqi dhe në Shqipëri janë vënë përpara ligjit. Ky është një sukses shumë i madh i Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, agjencive të tjera dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. “LIMIT” është kulmi i një serie të madhe goditjesh që krimi i organizuar ka marrë këtë vit”, shkruan Lleshaj.

Më tej, Ministri i Brendshëm tregon dhe bilancin e goditjes së krimit të organizuar këtë vit, ku në 9 muaj janë zhvilluar 28 operacione, janë arrestuar 170 persona dhe janë sekuestruar 55 milion euro. “Vetëm gjatë këtij viti, ”FORCA E LIGJIT” ka finalizuar 28 operacione, në fushën e trafikut të narkotikëve janë arrestuar gjithsej 170 persona, janë sekuestruar rreth 55 milion Euro dhe shumë gjëra të tjera. Por asgjë nuk mbyllet me kaq. Operacioni vazhdon. Lufta kundër krimit të organizuar do të njohë vetëm përshkallëzim të mëtejshëm në funksion të përmbushjes së objektivave të mëdha për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike dhe europiane. Përgëzimet më të mira për Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Krimeve të Rënda, agjencitë e tjera shqiptare të përfshira si dhe për partnerët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë operacion”, përfundon Lleshaj.  

Revolucion në strukturat hetimore, Policia e Shtetit kërkon 100 studentë ekselentë

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për rekrutimin e 100 studentëve, që kanë përfunduar dy ciklet e studimeve të larta, të cilët do të aplikojnë  në kursin për oficerët e rinj të strukturave hetimore në Policinë e Shtetit. Nga një njoftim publik, mësohet se uniformat Blu do t`i nënshtrohen një revolucioni të gjerë, jo vetëm në punonjësit e shërbimeve të ndryshme të terrenit, por edhe në strukturat hetimore, që janë pjesë e policisë. Sipas njoftimit, mësohet se studentët kandidat që mund të aplikojnë për të kryer kursin e policisë, sapo të përfundojnë këtë nivel bazë formimi, do të emërohen në strukturat hetimoret të Policisë së Shtetit, dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.

Aplikantët mund të aplikojnë në drejtoritë vendore të policisë dhe komisariate, ku duhet të dorëzojnë dokumentet përkatëse, sipas kritereve të vendosura nga policia e shtetit. Në këtë kurs do të pranohen vetëm 100 studentë, të cilët më herët kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare, kryesisht në degët e ekonomisë, financës, shkenca kompjuterik dhe ato juridike.

Një nga kriteret e veçanta, që studentët duhet të plotësojnë për t`u bërë pjesë e këtij kursi, është mesatarja e dy cikleve të studimit, e cila duhet të jetë mbi notën ‘8’. Gjithashtu janë dhe disa kritetere të tjera, përshirë parametrat fizik, statusin penal, gjuhët e huaja, etj.  Ky është kursi i dytë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Grushta policit të bashkisë, arrestohet nga policia e shtetit

Një 32-vjeçar është arrestuar të enjten në Tiranë, pasi akuzohet se ka goditur me grushte një punonjës të Policisë Bashkiake në kryeqytet. Sipas një komunikate zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet M.A., 32 vjeç.

Ky person është arrestuar pasi të mërkurën, gjatë kohës që ka qenë duke vendosur kangjella në trotuarin e rrugës “Dritan Hoxha”, ka goditur me grushta njërin nga punonjësit e polcisë bashkiake, duke i penguar ata të kryejnë detyrën.

Ndërkohë, po për ktë ngjarje, është proceduar në gjendje të lirë një tjetër person, emri i të cilit jepet gjithashtu me inicialet E.H., 35 vjeç, që akuzohet për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim një publik”.

Ndërkohë policia njofton se po për këtë ngjarje, vijon puna për vënien para përgjegjësisë penale dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Policia: Një person me të meta mendore sulmoi makinën e vëllait të Lubonjës

Policia e Shtetit ka reguar zyrtarisht në lidhje me sulmin ndaj makinës së gazetarit Fatos Lubonja. Nëpërmjet një deklarate shpërndarë mediave, Policia njofton zyrtarisht se mjeti, i cili është sulmuar të dielën, nuk i përket gazetarit Lubonja, por të vëllait të tij. Gjithashtu, në reagimin zyrtar, policia ka sqaruar dhe dinamikën e ngjarjes, duke saktësuar se agresori ka qenë një person me probleme mendore, ndërsa para se të sulmonte makinën, ai ka kërcënuar disa qytetarë me mjete prerëse.

“Në pergjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja, Policia e Shtetit sqaron: Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50 vjeçarin, nga Tirana”, shkruan Policia e Shtetit.

Por jo vetëm kaq, Policia thekson se personi në fjalë, ka ushtruar dhunë në familje, të cilën e ka denoncuar bashkëshortja e tij, dhe ka sqaruar se personi vuante prej vitesh nga shëndeti mendor. “Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor. Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore”.

Ndaj këtij shtetasi janë ngritur pesë akuza për vepra të ndryshme penale, ndërsa policia shprehet se hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, duke u shprehur se për këtë ngjarje, uniformat blu kanë qenë tërësisht profesionale.

“Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ”Dhunë në familje“, “Kanosje”, “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta”. Me këtë rast, Policia e Shtetit hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, e cila, edhe në këtë rast, ka qenë plotësisht profesionale”.

Rasti i goditjes së mjetit të vëllait të gazetarit Fatos Lubonja, u përdor politikisht nga opozita dhe Presidenti i Republikës, të cilët nxituan për ta cilësuar sulmin si politik “nga çunat problematik”. Megjithatë, ky reagim i uniformave blu, rrëzon deklaratat politike të Metës, Kryemadhi, Bashës dhe Berishës në lidhje me rastin në fjalë, për më tepër, mjeti nuk ka qenë në përdorim të gazetarit, por të vëllait të tij.

Skip to toolbar