Pas deklaratave që Arben Ristani bëri për emisionin “Real Sotry” të gazetarit Sokol Balla në një edicion special, ka reaguar në lidhje me kritikat që janë bërë në drejtim të tij. Ristani ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke thënë se djegia e mandateve ishte e gabuar, edhe pse në fillim ai e kishte mbështetur duke e menduar si zgjidhjen e duhur. Ristani tha se mënyra e vetme me të cilën tashmë Rama largohet është përmes zgjedhjeve dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë, i pari lideri i PD, Lulzim Basha.
Ristani thekson se Rama nuk largohem me llafe, por me zgjedhje, si e vetmja rruge ligjore që ka opozita. Madje Ristani i ka kujtuar edhe analistit Agron Gjekmarkaj se edhe pse nuk kundërshtoi djegien e mandateve, nuk mundet sot të mbyll gojën e të hesht përgjithmonë duke parë PD të rrënohet. “Kjo nuk është një këshillë me vend, as për atë dhe as për PD” tha Ristani, i cili i ka kujtuar vetë analistit Gjekmarkaj se në 2017 ishte shprehur se lista “Basha” ishte e neveritshme.
“Sipas analizës së analistit Gjekmarkaj, meqë atëherë unë nuk dola kundër vendimit për të dorëzuar mandatet e për të bojkotuar zgjedhjet e Ramës, që sot e tutje duhet të mbyll gojën e të hesht përgjithmonë. Kjo nuk më duket një këshillë me vend – as për mua, as për këdo, që si unë, do që PD të vijë në pushtet, për të mirën e shqiptarëve. Nuk më duket me vend që të mos kemi të drejtë të reflektojmë mbi gabimet tona. Nuk më duket me vend që një analist të mund të ketë të drejtën të ndryshojë qëndrime e deklarata sipas rastit dhe dëshirës, ndërsa politikanit i hiqet mundësia të reflektojë mbi gabimet e bëra dhe konkluzionet e nxjerra.
Vetë Gjekmarkaj, pak kohë më parë është shprehur se Lista “Basha” e kandidatëve për deputetë në 2017 ishte e fëlliqur, e neveritshme, e hartuar për të vjelë frytet e një marrëveshje okulte të bazuar në interesa financiare. Akuza këto tmerrësisht të rënda, ndoshta të justifikuara në një farë mënyre nga lënia e tij jashtë listës së kandidatëve.”- ka shkruar Ristani në një postim të gjatë në Facebook.
Ristani gjithashtu bëri sërish thirrje për reflektim nga ana e Bashës dhe të krijojë një strategji të qartë, të mirëorganizuar dhe me njerëz të besuar për të ngritur sërish partinë dhe forcuar besimin e njerëzve tek PD. Nëse vazhdojmë kështu tha Ristani, PD do të shkojë drejt humnerës.
“Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm. Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës.”- shkruan Ristani