Ndeshja hapëse e stadiumit të ri Air Albania, e cila përballi të zotët e shtëpisë me kampionët e botës ka sjellë në tribunë edhe aktorët e njohur të skenës shqiptare Robert Ndrenika dhe Arben Derhemi.
Natyrisht që cilësia e shtëpisë së re të kombëtares tonë i ka impresionuar të gjithë përfshi edhe dy artistët, të cilët për media nuk kanë nguruar që të shprehin dëshirën që edhe Teatri i ri Kombëtar të jetë po aq i bukur sa edhe stadium.
Robert Ndrenika u shpreh se shpreson që të bëhet edhe teatri i ri ashtu sikurse u përfundua stadiumi. “Kam keqardhje që këta miqtë e mi nuk do lozin dot në këtë stadium për arsye të moshës, ashtu si dhe unë nuk do luaj në teatrin e ri që do bëhet. Shpresoj që të bëhet dhe ai. Do shikoj stadiumin, pastaj do komentoj ndeshjen”, tha Ndrenika duke folur për mediat në ambientet e stadiumit.
Ndërsa Derhemi u shpreh se si ky stadium duhet të bëhen edhe gjërat e tjera në Shqipëri. “Teatër ëndrrash, është stadium i jashtëzakonshëm dhe shpresoj që si ky stadium të bëhen gjithçka nga sot e tutje në Shqipëri”, tha Derhemi.