Kriza e energjetikës, që po prek botën dhe që është paralajmëruar të vijë edhe në Shqipëri, që do të shoqërohet me çmime marramendëse, është bërë temë diskutimi në samitin Ballkani Perëndimor-BE, në Slloveni.
Në përfundim të këtij samiti, gazetarët kanë pyetur Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, lidhur me këtë krizë.
Në përgjigjen e saj, Von der Leyen është shprehur se “Sa i përket rritjes së çmimit të energjisë, është e qartë që 90% e gazit është e importuar. Kemi detyra për të përmbushur, do të kemi një deklaratë ditët në vijim lidhur me këtë çështje. Do të shohim edhe veprimin tonë në planin afatgjatë”.
Pjesë nga konferenca:
Pyetje: Çfarë kredibiliteti ka zgjerimi, çfarë mund t’i japë qytetarëve në rajon? Rritja e çmimit të energjisë dhe reforma në energji, të gjithë presin që BE të veprojë, çfarë mund të bëjë BE lidhur me këtë?
Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel: Ne ndjejmë nevojën, rëndësinë për të vepruar, mbi të gjitha për prioritetet, për reformat, vlerat, investimet, dhe kemi qenë mjaft aktivë ditët e kaluara për të ndihmuar, për të lehtësuar dhe mbi të gjitha për të bërë progres. Kemi pasur dhe një darkë informale dhe sot kemi dhënë shembuj konkretë. Nëse duam të jemi më efikasë e më të vendosur, na duhen patjetër edhe rezultate të tjera. Megjithatë, kemi treguar përfshirje konkrete. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë dhe dëshirojmë të bashkëpunojmë me ta.
Sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë, do diskutojmë në takime të tjera. Do të bëhen përgatitje serioze, në mënyrë që të japim disa orientime. Dhe do të kemi edhe mbështetjen e Komisionit Evropian lidhur me këtë. KE do të publikojë një deklaratë lidhur me këtë çështje, në mënyrë që të kemi të gjithë një informacion të përbashkët. Të punojmë për këtë, që të japim orientimin tonë në një tjetër nivel. Do ishte mirë të gjenim një qasje të përbashkët lidhur me këtë.
Von der Leyen: Sa i përket procesit të zgjerimit, kemi diskutuar shumë. Pjesa më e madhe e liderëve të BE kanë shprehur mbështetje që të ecim përpara me Shqipërinë dhe RMV. Urojmë shumë që të ketë një zgjidhje të çështjes mes RMV dhe Bullgarisë. Fakti që ne po investojmë 30 miliardë euro në rajon, flet vetë. Jemi shumë të bindur që kjo nuk do të ketë benefite vetëm për vende te Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE, dhe do të lehtësojë rrugën drejt BE.