Rritja e temperaturave dhe fundjava, trafik i rënduar në disa rrugë

AKTUALITET


Rritja e temperaturave dhe fundjava ka shtuar fluksin nëpër zonat e plazhit, duke sjellë trafik të rënduar në shumë akse. Policia rrugore bënë me dije se dita ka qenë tejet e ngarkuar në disa akse, ndërkohë që u rekomandohet drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë drejt jugut që të kalojnë nga aksi Tuneli i Krrabës – Peqin – Rrogozhinë. I njëjti itinerar rekomandohet të ndiqet edhe pasdite për udhëtaret dhe mjetet që do të kthehen në Tiranë, për të mos u ndeshur me fluksin e mjeteve që kthehen nga Gjiri i Lalëzit.

Policia Rrugore apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit, për të shmangur parakalimet e gabuara çka bëhen shkas për aksidente apo për bllokim të trafikut, siç ndodhi në Vorë paraditen e së dielës. Po ashtu, policia apelon për moderim të shpejtësisë dhe shmangie të pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit, mos përdorim të celularit si dhe për vendosje të rripit të sigurimit.

Situata në akset që përshkojnë zonat verore turistike

Aksi rrugor Tiranë-Durrës-Gjiri i Lalzit-Durrës-Golem, ka patur fluks të ngarkuar të lëvizjes së mjeteve. Janë marrë masa për përballimin e trafikut.

Aksi Rrugor Fushë Milot-Kryqëzimi i Shënkollit-Kryqëzimi Shëngjinit-Lezhë-Shkodër, ka pasur fluks të ngarkuar të mjeteve në orët e para të ditës në drejtim të futjes në plazhet: Tale, Shëngjin

Aksi rrugor Vlorë-Radhimë-Bregdet, ka fluks mjetesh, por i rrjedhshëm. Trafik të shtuar ka në aksin rrugor Vlorë-Radhimë, i cili është përballuar nga shërbimet e policisë rrugore.

Në Sarandë ka pasur fluks mjetesh, por i rrjedhshëm dhe i përballueshëm

Aksi rrugor Levan-Fier-Lushnjë ka ngarkesë automjetesh dhe po ndiqet nga drejtuesit e shërbimeve të Policisë Rrugore Fier dhe Lushnjë.

Në segmentin rrugor Harku i Bërdicës-Ura e Bunës-Muriqan në Shkodër fluksi i lëvizjes së mjeteve gjatë ditës ka qenë normal.



Skip to toolbar