Ish-ministri socialist, Arben Malaj, për të cilin vetëm pak ditë më parë, mazhoranca kërkoi shkarkimin e tij nga Këshilli Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, ka dalë në protestë në mbështetje të artistëve për Teatrin Kombëtar.
Malaj ka lëshuar mesazhe të forta në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, duke i bërë apel me emër, kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili ishte personi që bllokoi shkarkimin e tij, pasi kërkoi që kërkesa të vinte nga qeveria dhe jo nga deputetët. Thirrje në mbrojtje të teatrit, Malaj i bëri edhe ministres së Kulturës, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe dhe ministrit të Diasporës, Pandeli Majko.
“Të dashur protestues dhe policë. Kam ardhur këtu me mesazhin e Nënë Terezës, në vend të errësirës, ndizni një qiri. Ministrja e Kulturës të heqë policët nga institucioni. Ministri Majko dhe socialisti shumë i mirë Erjon Brace të kërkojnë një vendim qarkullues, që për gjithë periudhën që të ketë kontratë për punimet të bllokohet rrethimi nga policia dhe të bllokohet aktiviteti në Teatrin Kombëtar. Kjo mund të bëhet me akt normativ qarkullues, e nëse Majko e Braçe e duan këtë vend, ajo bëhet gati për 20 minuta. Kjo i jep mundësi artistëve të pushojnë si gjithë shqiptarët. Nëse qeveria nuk e bën, është në detyrimin moral të Gramoz Ruçit, të mbledhë deputetët, të marrë një ligj vetëm me një paragraf, të mundësohet ndalimi i ndërhyrjes te Teatri Kombëtar. Pas kësaj të gjithë së bashku të bëjmë maksimumin për zgjidhjen më të mirë, që mbron pasurinë dhe krenarinë tonë”, tha ai.