Ruçi në KE: Ballkani perëndimor, jo “delja e zezë” për BE

AKTUALITET


Kryetari i  Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se Evropa sot është një kontinent i asimetrive të dukshme mes Veriut të zhvilluar dhe jugut në zhvillim e sipër, ndërsa tha se Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më “delja e zezë” e Europës, por një vlerë e shtuar e saj. Ruçi mori pjesë në Konferencën e krye parlamentarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila zhvilloi punimet në Strasbourg, ku theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Bindja ime e parë është se dy-tre dekadat e ardhshme, familja evropiane do të jetë e gjitha brenda shtëpisë evropiane. Evropa do të vuajë më pak nga pasojat e asimetrive midis Veriut super të zhvilluar dhe Jugut, në zhvillim e përpjekje për të arritur Veriun. Gadishujt e Evropës, Skandinavia, Gadishulli Iberik, Apeninet dhe Ballkani nuk do të jenë më kaq të ndryshëm për nga ritmet e zhvillimit, aftësitë konkurruese, niveli i mirëqenies dhe kontributi për paqen. Ballkanasit nuk do të kenë më nevojë për negociatorë skandinavë për t’u qetësuar midis tyre. Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më “delja e zezë” për udhëheqësit europianë, por një vlerë e shtuar për familjen europiane. Kufijtë kulturorë dhe politikë të Europës do të bëhen më pak të përfillshëm dhe do të përputhen, ndoshta, me kufijtë gjeografikë të saj.

Për ata që do të mblidhen në këtë Pallat pas 70 vjetësh, arsyet që mbajnë gjallë konfliktet fetare do të jenë zbutur. Mjafton që shtetarët dhe politikanët europianë të ndjekin modelin e bashkëjetesës që ofron Shqipëria ime”, tha Ruçi në fjalën e mbajtur në këtë konferencë.

Gjatë ditëve të Konferencës, Ruçi zhvilloi edhe disa takime  me drejtues të KiE-së dhe kryetarë të parlamenteve pjesëmarrëse.

Gjatë takimit me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Europës, Maria Pejcinovic Buriç, Ruçi nënvizoi se pavarësisht vendimit të Këshillit Europian, Shqipëria do të vazhdojë reformat integruese në të mirë të popullit dhe të vendit. “Shqipëria ka vetëm një plan A për të ardhmen dhe destinacioni i saj i vetëm është BE. Reforma në drejtësi dhe vetting-u vazhdojnë të kryhen me sukses. Thellësia e tyre më e madhe se parashikimi është arsyeja e vonesës së ngritjes së institucioneve të reja të sistemit. Këto institucione do të bëhen funksionale shumë shpejt dhe do të garantojnë një sistem drejtësie të ndershëm, profesional dhe me integritet”, është shprehur Ruçi.

Kryetari i Kuvendit, u takua edhe me Kryetarin e Parlamentit të Danimarkës, Henrik Dam Kristensen. Ruçi e informoi  homologun danez Kristensen mbi arritjet e Shqipërisë në avancimin e reformave integruese, të cilat janë investime për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Ruçi sugjeroi që për t’u bindur se Shqipëria e meriton çeljen menjëherë të negociatave, parlamentarët dhe qeveritarët e vendeve me qëndrime skeptike nuk duhet të nisen nga paragjykime dhe qëndrime obstruksioniste, por duhet të vijnë të verifikojnë arritjet dhe të prekin nga afër realitetin shqiptar.

Gjatë takimit me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio, Ruçi e falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë, produktiv dhe efiçient me Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë dhe vlerësuan opinionet e Komisionit si mjaft të dobishme dhe udhërrëfyese për legjislacionin, politikat dhe institucionet shqiptare.

Gjatë takimit me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tseterelli, u diskutua mbi kontributin e Kuvendit  në bashkëpunimin për përballimin me sukses të sfidave të Presidencës shqiptare të OSBE gjatë vitit 2020.



Skip to toolbar