Hajdari forcon pozitat te të djathtët

#NËRADAR


Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi refuzoi të enjten kërkesën e Korab Litës, që pretendon se është zgjedhur drejtues i grupit të deputetëve të djathtë në Kuvend. Në fund të seancës plenare të Kuvendit, Ruçi u shpreh se në zyrën e tij kishte disa kërkesa. Së pari kishte shkuar kërkesa e Korab Litës që njoftonte se ishte zgjedhur kryetar grupi. Së dyti ishin kërkesat e Halit Valterit dhe Fatjona Dhimitrit që njoftonin dorëheqjen nga firma për zgjedhjen e Korab Litës kryetar, dhe më pas ishte një kërkesë e Rudina Hajdarit dhe Myslim Murrizit, që njoftonin se pesë deputet opozitar kërkonin të bashkoheshin me grupin e deputetëve të djathtë.

Megjithatë, Kreytari i Kuvendit nuk mori asnjë kërkesë parasysh, pasi sipas tij, deputetët duhet të zbatojnë rregulloren e Kuvendit. Ramoz Ruçi u kërkoi deputetëve që kërkuan ndryshime në drejtimin e grupit, të sjellin së pari rregulloren e funksionimit të grupit në Kuvend, dhe më pas të bëjnë riformatimin e grupit.

“Më ka ardhur një njoftim për ndryshime në drejtimin e grupit Demokrat të cilët deklarojnë si kryetar grupi Korab Litën nga deputetë të tjerë si Halit Valteri dhe Fatjona Dhimitri më kanë drejtuar shkresë për të më vendosur në dijeni se ky vendim nuk është marrë. Nga deputeti Murrizi dhe zonja Hajdari konfirmojnë të njëjtën gjë, dhe kam 5 kërkesa nga Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Ryci, Elda Hoti dhe Vasil Stejovski që deklarojnë pjesëmarrjen në grupin Demokrat”.

“Nga verifikimi që kam bërë kam tre gjëra për të thënë, e para jo vetëm këtij grupi por të treja, në fund të korrikut është miratuar rregullorja, që detyron që çdo grup të miratojë rregulloren, prandaj kërkoj që të vendosni në dispozicion rregulloret përkatëse. Lidhur me kërkesat e patë që janë disa, riformatoni grupin parlamentar zotërinj që keni kërkuar, qoftë për pjesëmarrjen, qoftë për mendimet apo vendimet, së bashku me prurjet e reja dhe së treti unifikoni qëndrimet dhe që është e drejta juaj të zgjidhni kë të dëshironi në krye të grupit” deklaroi Gramoz Ruçi. 

Rudina Hajdari e priti me duartrokitje vendimin e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, për të kthyer mbrapsht ndryshimet e kërkuara nga Korab Lita. Në fakt, Rudina Hajdari forcon pozitat në radhët e të djathtëve për të vijuar drejtimin e grupit Demokrat në Kuvend. Me bashkimin e pesë deputetëve të rinj, përfshirë dhe dy deputetët Valteri dhe Dhimitri, numri i mbështetësve të saj shkon në tetë deputetë, ndërsa Korab Lita, të paktën deri tani, mbetet me pesë mbështetës.

Tashmë, deputetët e djathtë, duhet të ridërgojnë në Kuvend kërkesën për ndryshimet në grupin parlamentar. Sipas rregullores së Kuvendit, përcaktuar në Nenin 15 pika 7, grupi Parlamentar nuk mund të krijohet pa pasur të paktën 7 deputetë. Me afrimin e pesë deputetëve të rinj në radhët e saj, Rudina Hajdari është gati të krijojë një grup të ri demokrat në Kuvend. Ndërkohë që tentativa e Korab Litës për të krijuar grupin parlamentar merr fund, të paktën deri tani, pasi numri i deputetëve mbështetës ndaj tij është pesë. /Realstory.al/



Skip to toolbar