Sherr në Kadastrën Tropojë, zyra kryetarit kthehet në “arenë boksi”

AKTUALITET


Një sherr fizik ka ndodhur mes një qytetari dhe kryetarit të Kadastrës së Tropojës. Sherri ndodhi në zyrën e kryetarit, ndërsa qytetari përfundoi në pranga, pas ngjarjes. Se kush e nisi sherrin i pari është kontradiktore, pasi në deklaratat e bëra në polici, si kryetari i kadastrës Blerant Lushaj edhe qytetari Ahmet Gjocaj mohojnë të kenë gjuajtur të parët.

Në dëshminë e qytetarit Ahmet Gjocaj zbardhur nga News 24 thuhet se kreu i kadastrës nuk i është përgjigjur disa herë shqetësimit të tij dhe më 15 tetor i shkoi në zyrë, ku gjithçka mori sipas tij ishin goditjet. Qytetari ka dëshmuar se nuk po gjente zgjidhje prej tre vitesh për regjistrimin e një prone.


Në 15 tetor, i telefonova disa herë drejtorit Blerant Lushaj për problemin tim por ai nuk ma ka hapur telefonin, të cilit i kam rënë rreth shtatë herë. Nga kjo unë jam nisur për ta takuar tek zyra e tij. Sapo kam hyrë ne zyrë ai direkt më është përgjigjur ‘shko në sportel dhe merr sqarimet e duhura’. Ai u çua nga karrigia dhe më ka goditur me grusht në kokë. Në kushte të tilla dhe unë jam kundërpërgjigjur”, ka thënë në dëshminë e tij Gjocaj.

Kjo gjë hidhet poshtë në dëshminë e drejtorit të kadastrës Tropojë, Blerant Lushaj, i cili deklaron se ka qenë qytetari që sapo hyri në zyrë i gjuajti me grusht, për arsye të panjohura.

Shtetasi Ahmet Gjocaj ka hyre direkt në zyrën time dhe më ka goditur me grusht në buzën e sipërme duke më shkaktuar dëmtime. nuk e di pse më goditi dhe nuk jam në gjendje ta kuptoj. Deri tani asnjëherë nuk kam pasur probleme me këtë person” thuhet në dëshminë e Blerant Lushaj

Pas ngjarjes Gjykata e Tropojës la të lirë qytetarin Ahmet Gjocaj duke vendosur për të masën “detyrim paraqitje”.




Skip to toolbar