Rumuni kapet me aksesorë kuzhine kontrabandë: “I dua për shpi”

AKTUALITET


Policia ka arrestuar një rumun në Lezhë, i cili kishte sjellë aksesorë kuzhine kontrabandë, që arrinin vlerën 27 mijë euro. Sipas policisë, ai dyshohet se i kishte sjellë këto materiale për tregti, megjithëse vetë i arrestuari ka deklaruar se i kishte për përdorim personal.

Arrestimi i 46-vjeçarit rumun, të cilit i janë publikuar vetëm inicialet I. G., sipas policisë u bë në kuadër të aksionit anti-informalitet që po zhvillohet në të gjithë vendin. Burimet policore thanë se gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij si dhe në banesën e marrë me qira iu gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme enë dhe aksesorë kuzhine të paketuara gati për shitje në vlerë monetare rreth  27.000 Euro.

Të gjitha mallrat e sekuestruara nga kontrolli që iu bë makinës në aksin rrugor Fushë Milot – Lezhë ishin pa dokumentacion përkatës dhe të dyshuara kontrabandë. Në pamje duken enët e kuzhinës në bagazhin e makinës së rumunit, që do të shiteshin në Shqipëri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprat penale në ngarkim të tij “Kontrabandë me mallra të tjerë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Manipulim i tregut” dhe “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”.



Skip to toolbar