Tensionet SHBA-Iran për armët bërthamore dhe tentativat për bisedime

BOTA


Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif tha se ‘nëse Shtetet e Bashkuara duan të përfshihen në negociata, ato duhet të respektojnë marrëveshjen e 2015 që kufizoi aktivitetin bërthamor të Iranit në shkëmbim për zbutjen e sanksioneve’.

Komentet e shefit të diplomacisë iraniane pasojnë pohimet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara gjatë takimit të G-7 në Francë, se nëse ekzistojnë kushtet e përshtatshme, ai është i gatshëm për bisedime me presidentin e Iranit.


Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine ekspertët thonë se ende ka pengesa serioze si në Teheran, ashtu edhe në Uashington për bisedimet e nivelit të lartë.

Gjatë një vizite në Malajzi, shefi i diplomacisë iraniane akuzoi  Uashingtonin se është angazhuar në terrorizëm ekonomik kundër popullit iranian:

Nuk është e mundur që ne të dialogojmë me Shtetet e Bashkuara nëse nuk ndalin këtë luftë, këtë terrorizëm ekonomik kundër popullit iranian. Ne biseduam gjatë me Uashingtonin, arritëm marrëveshje dhe tani ata duhet të zbatojnë marrëveshjen që arritëm para se të vazhdojmë më tej bisedime”.

Pak ditë më parë, Presidenti Donald Trump shtangu shumë veta, sidomos në Teheran, kur u përgjigj pozitivisht ndaj një pyetjeje të Presidentit Macron, duke thënë se “ka mjaft mundësi” që mund të takohet me Presidentin e Iranit, Hasan Ruhani brenda pak javësh. Pas komentit dolën spekulime se takimi do të bëhej gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.

I pyetur në Pentagon nëse kriza mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është zgjidhur, Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper u shpreh: “Nuk kërkojmë konflikt me Iranin. Duam të angazhohemi në diplomaci me iranianët”. Kryeministri japonez Shinzo Abe ka ofruar të veprojë si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ministri i jashtëm iranian tha se vendi i tij nuk do acarimin e tensioneve me Uashingtonin, por shtoi: “Ne besojmë se çdo vend duhet të jetë në gjendje të gëzojë të drejtat e tij në bazë të ligjit ndërkombëtar”.

Tensionet u acaruan pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën vjet nga marrëveshja ndërkombëtare që i ofronte Iranit lehtësira në sanksione me kusht që të kufizonte programin e tij bërthamor. Administrata Trump vendosi sanksione shtesë kundër Teheranit. Ekspertët thonë se tani është momenti i përshtatshëm për një takim të nivelit të lartë mes dy vendeve.

Disa analistë thonë se udhëheqësit iranianë mund të jenë duke nxjerrë konkluzione nga takimet e Presidentit Trump me udhëheqësin koreano-verior, të cilat nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet e vjetra për programin bërthamor të Koresë së Veriut apo të eliminojnë sanksionet ndërkombëtare.




Skip to toolbar