Kompania e kontrolluar nga shteti rus, Gazprom PJSC, pezulloi furnizimet e gazit natyror në Itali, duke përshkallëzuar një krizë energjetike të thelluar në Evropë.
Furnizimi me gaz rus përmes tubacionit Tarvisio në Itali do të jetë zero nga sot, 1 tetor, pasi Gazprom bëri të ditur se furnizimi i Italisë përmes Austrisë është i pamundur.
Gazprom informoi se nuk është në gjendje të konfirmojë vëllimet e gazit të kërkuara për sot, duke thënë se nuk është e mundur furnizimi me gaz përmes Austrisë. Prandaj, furnizimet e sotme me gaz rus për Eni-n përmes pikës hyrëse të Tarvisio do të jenë zero”, tha Eni SpA, kompania më e madhe italiane e naftës, në një deklaratë në faqen e saj zyrtare në internet.
Ndërprerja e gazit për Italinë vjen disa ditë pasi shpërthimet nënujore dëmtuan tubacionin kryesor të gazit Nord Stream që lidh Rusinë me Evropën.
Presidenti i SHBA-ve Joe Biden i bëri jehonë dje vlerësimit të liderëve të Evropës Perëndimore se tubacionet ishin sabotuar, duke theksuar se deklaratat ruse për incidentin nuk duhen besuar.