Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka konsideruar një moment jo të mirë për asnjë në PD, dënimin e Ervin Salianjit.
E ftuar në “Real Story”, ajo ka thënë se Salianji doli nga partia dhe shkoi në qeli, në momentin që të gjithë ishin në Partinë Demokratike.
Tabaku theksoi se vendimet e drejtësisë nuk i komenton, por pret që drejtësia t’i shkojë deri në fund.
“Meqënëse doli emri i zotit Salianji, nuk ka qene fare një moment i mirë, ne ishim thjesht në PD dhe ai doli nga partia dhe shkoi në qeli. Si do të ndiheshit ju për një koleg tuajin? Kemi ndarë të njëjtat sfida, kemi mendime të njëjta apo të ndryshme.
Unë nuk i komentoj dhe nuk i analizoj vendimet e drejtësisë. Po të flas njerëzisht për një koleg që nuk ka konsumuar asnjë ditë pushtet, ka bërë një denoncim dhe sot është në qeli. Është një ndjenjë komplet njerëzore. Unë kam bërë një kompromis për veten dhe e kam thënë këtu që kur kam qenë te inceneratorët. Mund të më pëlqejnë, mund të mos më pëlqejnë, por nuk i komentoj ato. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse pres që ti jap akoma kohë drejtësisë që t’i shkojë deri në fund, çdo gjëje që ajo po çon përpara. Po sigurisht që mund të ngre pikëpyetje me veten time, po luksin e komentit të paktën për këtë ia kam hequr vetes sime. Nuk preferoj të bëj komente në raport me drejtësinë”, tha Tabaku.