Në samitin e 20 vendeve më të rëndësishme të botës në Japoni përsëri gjithçka rrotullohet rreth presidentit amerikan. Konfliktet e tij tregtare me pothuajse të gjitha rajonet e botës përcaktojnë rendin e ditës.
Nikoqiri i samitit të sivjetëm të G20, kryeministri japonez Shinzo Abe, do të përpiqet të premten dhe të shtunën që takimi i 20 shteteve më të rëndësishme industriale të botës dhe atyre në zhvillim të mos rrotullohet vetëm rreth një njeriu. Presidenti i SHBA Donald Trump që para nisjes për në Japoni kishte kërcënuar sërish Kinën, por edhe aleatët për shkak të përfitimeve tregtare. Megjithatë japonezët kanë vënë edhe ҫështje të tjera në rendin e ditës, si luftën kundër gazrave të efektit serë, mbeturinave plastike ne dete, plakjen e shoqërive perëndimore dhe të ardhmen e punës në ekonominë e digjitalizuar. Në këto tema janë arritur edhe përparime, pohon një diplomat i lartë i BE. „Një nga detyrat urgjente të shteteve të G20 është rivendosja e besimit në sistemin multilateral të tregtisë. Konfliktet tregtare kanë filluar të rëndojnë perspektivat për rritjen ekonomike” thotë Koji Tomita, i ngarkuari i qeverisë japoneze për G-20.
Trump kundër pjesës tjetër të botës
Presidenti i SHBA Donald Trump akuzoi të mërkurën gati të gjitha shtetet e
botës, se përfitojnë nga SHBA në tregtinë botërore duke i trajtuar ata
“unfair”. Nga ana tjetër evropianët, kinezët, meksikanët dhe të
tjerët kërkojnë nga SHBA që t‘u përmbahen rregullave. Në margjinat e samitit të
G20 në Osaka do të mbahet takimi i nivelit të lartë i dy kontrahentëve
kryesorë, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.
Trumpi kërcënoi para nisjes për në Osaka me rritjen e tarifave për produktet
kineze. Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin, nuk beson se do të
arrihet ndonjë ndryshim, por kërkon që të realizojë që kinezët, që kanë
vendosur tarifa për mallrat amerikane, të kthehen përsëri në tryezën e
bisedimeve,
Paralajmërime për dobësimin e ekonomisë botërore
Jo vetëm Kina, por edhe Meksika, Kanadaja, Vietnami, BE dhe vendi mikpritës
Japonia po luftojnë me tarifa ndëshkuese dhe kërcënimet nga Shtëpia e Bardhë.
Kjo çon, në “dobësim të besimit tek sipërmarrjet, në rënien e tregtisë
botërore dhe investime të ngadalta në vendet në zhvillim”, tha David
Malpass, presidenti i Bankës Botërore, javën e kaluar. Shefja e Fondit Monetar
Ndërkombëtar (FMN) Christine Lagarde, paralajmëroi se tarifat e imponuara dhe
kërcënimet mes SHBA dhe Kinës mund të çojnë në një tkurrje të ekonomisë globale
me 0.3-0.5 për qind në vitin e ardhshëm.
Megjithëse edhe kompanitë amerikane e paralajmërojnë Donald Trumpin për të ndryshuar kursin, ai mbetet i vendosur. Ekonomia amerikane ende po ecën mirë dhe papunësia është jashtëzakonisht e ulët. Çmimet e tregut të aksioneve arrijnë nivele rekord. “Modeli ynë ka sukses, të tjerët duhet të bëjnë si ne”, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë para takimit.
Konflikti tjetër duket tashmë i programuar. Rrugës për në Osaka presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump u ankua për doganat shumë të larta, që India dëshiron të vendosë ndaj mallrave amerikane. “I papranueshëm” është veprimi i indianëve, shkroi Trump në twitter. Ai dëshiron të flasë për këtë në Japoni me kryeministrin e Indisë Narendra Modi.
Qasje pragmatike
Nikoqirët japonezë do të flasin edhe për iniciativën kineze “belt and road”, që synon të ndërtojë infrastrukturë në Afrikë, Azi dhe gjithnjë e më shumë edhe në shtetet evropiane me financim kinez dhe me firma kineze ndërtimi. Modeli i „rrugës së mëndafshit” kritikohet, sepse shtetet pjesëmarrëse hyjnë në borxhe dhe popullsia lokale zakonisht përfiton pak. Samiti do të angazhohet edhe për tatimin e bizneseve digjitale dhe rregullimin më të mirë të shkëmbimit të të dhënave.
Nuk priten protesta të mëdha
Rreth 30 000 policë do ta mbrojnë pjesëmarrësit e samitit në jug të metropolit milionësh Osaka. Shkollat janë të mbyllura. Njerëzve në Osaka u është bërë thirrje të mos përdorin makinat. Baret dhe dyqanet përreth hoteleve të mëdha në qendër të qytetit nuk do të hapen. Demonstrata të mëdha si në Buenos Aires apo në Hamburg në vitin 2017 nuk priten në Japoni. Edhe pse Attac Japan dhe mbrojtës të klimës kishin bërë thirrje për protesta, pjesëmarrja është e ulët./DW/