Ish-presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, është optimist se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritën jeshile për hapjen e negociatave. Por ai ka refuzuar të ofrojë garanci, duke deklaruar se aktualisht Europa është e përfshirë nga ndjenjat nacionaliste. Ish kreu i PE, i cili ka qenë skeptik më herët dhe shpesh ka vënë theksin te reforma në drejtësi për hapjen e negociatave, tashmë dëshiron të besojë se në Tetor do të ketë “dritë jeshile” për datën e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por nuk mund të garantojë.
“Javën e kaluar votova për hapjen e negociatave aderuese në Bundestagun gjerman, por Qeveria gjermane është njëra prej 28 të tjerave. Por, nëse edhe në Hagë, në Paris ose në Vjenë do të mendohet në këtë drejtim – nuk e di. Ndjej se PO, jam optimist relativ se do të ketë një votim njëzëri në mesin e Tetorit, por nuk mund t`ju jap garanci”, tha Schulz, i cili ishte i ftuar në forumin ekonomik në Shkup.
Në pyetjen nëse BE-ja është një familje e lumtur, politikani gjerman buzëqeshet dhe menjëherë përgjigjet me një JO. Problemet kanë filluar me kthimin e nacionalizmit, rreth vitit 2005.
“Ne nuk jemi një familje e lumtur. Ishte shumë e suksesshme, por duke qenë se vendet anëtare filluan sërish të flasin “së pari vendi im, e më pas të tjerët” punët filluan të shkojnë në drejtim tjetër. Kjo ndodhi në mesin e dekadës së kaluar, pas referendumit për Kushtetutën e BE-së. Në Francë e Holandë filloi procesi i rinacionalizimit, që shkonte në interes të nacionalistëve. Për këtë shkak asnjë vend, as edhe Gjermania me 82 milionë banorë, e as një vend si Maqedonia e Veriut, nuk mund të mbijetojë e vetme në mes të garës politike e ekonomike në shekullin XXI. Evropa është e fuqishme vetëm e bashkuar”, deklaroi ai.
Martin Schulz, i cili mori pjesë në forumin ekonomik në Shkup, në organizim të EKONOMIST, pajtohet me paralajmërimet amerikane për ndikimet e Kinës dhe Rusisë në rajon. Por, megjithatë, pret që amerikanët të sqarojnë pozicionin për Evropën, duke përmendur deklaratat kontradiktore të Presidentit Tramp për NATO-n dhe BE-në.