Schumacher, në përmirësim dhe ndjek Formula 1

SPORT


Michael Schumacher është në përmirësim dhe ndjek garat e Formula 1. Ish-shefi i tij tek Ferrari, Jean Todt ka dhënë këtë deklaratë dhe jep shpresë për shëndetin e legjendës gjermane.

Po mbushen gati 5 vjet që për Michael Schumacher informacioni ka qenë tejet i kufizuar, por legjenda e Formula 1 ndoshta po e merr veten. Ish-shefi i tij tek Ferrari, Jean Todt lëshoi disa deklarata lidhur me shëndetin e ish-pilotit gjerman, shtatë herë kampion i botës, duke bërë që të gjitha mediat botërore të rikthejnë në vëmendje kampionin shtatë herë të Formula 1.

“Marka” në Spanjë shkruan se Jean Todt: Schumacher përmirësohet, i shohim së bashku garat e Formula 1”. Ndërsa “Daily Mail” në Angli: Michael Schumacher po lufton për t’u përmirësuar, dhe ende shikon në televizor garat e Formula 1, pohon ish-shefi I Ferrarit, Jean Todt! “Il Corriere dello Sport” në Itali: Shoh garat e Formula1 së bashku me Schumacherin, thotë Jean Todt! Michael nuk dorëzohet dhe vazhdon të luftojë! Është në duart më të mira të mundshme!

Në të vërtetë, Todt sqaron se shëndeti i Shumit nuk është ende shumë i mirë, komunikimi mes tyre nuk është si dikur, për shkak të gjendje së gjermanit, por drejtuesi i madh francez thekson se piloti gjerman këmbëngul dhe shpreson për t’u përmirësuar edhe më shumë.

Michael Schumacher pësoi aksidentin e rëndë në kompleksin turistik në Alpet e Francës, në Dhjetor 2013, duke qenë pranë vdekjes. Ai u ndodh në koma, me dëmtime të mëdha në kokë, u mbajt në spital për një kohë të gjatë, ndërsa më pas familja e mori në shtëpi, nën kujdes të vazhdueshëm të mjekëve.

Besohet se shpenzimet në 5 vjet kanë arritur në mbi 22 milionë euro, ndërsa tifozët e Ferrarit nuk e kanë harruar kampionin e tyre. Schumacher fitoi 7 tituj kampion në Formula 1, dy me Benetonin dhe 5 me Ferrarin, në një karrierë që vazhdoi për 17 vjet.



Skip to toolbar