Lufta ndaj informalitetit, Rama përshëndet aksionin e policisë te karburantet

AKTUALITET


Aksioni “Zero tolerancë ndaj informalitetit” po vijon me ritme të shpejta dhe pa u ndalur përballë asnjë shkelësi të ligjit. Kjo luftë e nisur në muajin korrik, do të vijojë edhe gjatë gushtit e në vazhdim duke vënë përpara ligjit të gjithë bizneset dhe sipërmarrësit që kryejnë evazion fiskal dhe falsifikim të dokumenteve. Me një postim në Facebook, Rama ka përshëndetur një tjetër aksion të policisë kundër informalitetit që përfshin një biznes me veprimtari në fushën e hidrokarbureve dhe abuzimit me ndërhyrjen në pompat e karburanteve.

“Vazhdon operacioni për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e hidrokarbureve, për evazionin fiskal, falsifikimin e dokumenteve dhe ndërhyrjeve në pompat e karburanteve. Hetimet që janë zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vendosin në pranga dy persona. Ata u ndaluan për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndryshimi në aparatet matëse” të kryera në bashkëpunim.


Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim, ndërhynin në pompat e distributorëve të karburanteve të palicensuar, falsifikonin procesverbalet në emër të një subjekti tjetër dhe nuk lëshonin faturë tatimore. Vijojnë hetimet, pasi dyshohet të ketë persona dhe subjekte të tjera të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, duke i sjellë shtetit një dëm të madh ekonomik!” – publikon Rama në Facebook.




Skip to toolbar