Sekuestro 3 milionë euro. “Koka” e trafikut u kap në Danimarkë

AKTUALITET


3 milionë euro pasuri janë sekuestruar pasi kishin burim të ardhurash nga kreu i një grupi kriminal që operonte në trafikun ndërkombëtar të drogës në disa shtete të BE. Pasuria ishte investuar nga koka e grupit kriminal, shkodranit Jetmir Kastrati dhe 3 pjesëtarë të tjerë të bandës, të cilat janë arrestuar më 26 qershor 2019 në Danimarkë. Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal ishin investuar në Shqipëri, kryesisht në zona bregdetare, në prona që trafikantët i kishin regjistruar në emër të familjarëve dhe miqve të tyre.

Jetmir Kastrati drejtonte grupin e trafikut të drogës në Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Suedi, Slloveni, e Shqipëri. Ai rezultonte në Danimarkë, ku dhe është arrestuar, me një identitet fals kosovar Sokol Krasniqi. Aksioni i arrestimit të tij më 26 qershor 2019 u bë në bashkëpunim me disa shtete  dhe i koordinuar nga Europoli ku u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes. Gjatë aksionit të Europol në pranga përfunduan dhe 3 anëtarë të bandës, Eri Pelingu, Armando Doçaj dhe Astrit Doçaj.

Në vijim të operacionit të koduar “Goldfinger”, policia shqiptare konfiskoi më 29 tetor 2019 edhe një pasuri prej 3 milionë euro, që rridhte nga aktivitete kriminal i Jetmir Kastratit. Këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve dhe miqve të tij, dhe kryesisht ndodheshin në bregdet.

Konkretisht policia shqiptare sekuestroi një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro, 10 apartamente banimi, në plazhin e Velipojës; 1 apartament banimi në Shkodër; 14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit, që të gjitha kapnin vlerën e  3 milionë euro.

Të gjitha pasuritë e sekuestruara i janë dorëzuar për administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave. Policia vijon ende hetimin për  identifikimin  e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.



Skip to toolbar