“Sëmundja e mori për punë ditësh”, miqtë e Xhodës rrëfejnë kujtimet

AKTUALITET


Ndarja nga jeta e aktorit dhe regjisorit Xhevdet Ferri tronditi miq e të afërm por edhe qytetarët e zakonshëm të cilët nuk ishin në dijeni të faktit që ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe për të gjithë ishte një lajm i papritur. Miqtë dhe kolegët e tij rrëfyen në programin “Rudina” në Tv Klan se aktori i njohur vuante nga një sëmundje e rëndë që i ishte shfaqur vetëm pak muaj më parë, në fillim të verës të vitit që lamë pas. Por miqtë tregojnë se Xhevdeti iu nënshtrua terapisë mjekësore dhe e përballoi me sukses, madje iu rikthye punës deri në ditët e para të dhjetorit dhe ishte mjaft aktiv, por sëmundja e rëndë u rikthye më agresive dhe e mori vetëm brenda pak ditësh.

“Duke qenë një nga miqtë dhe bashkëpuntorët e tij më të gjatë, me Xhevdetin njihem prej 40 vitesh. Që në momentin kur kam filluar punë në kinematografi dhe ai ka filluar punën si aktor, duke qenë akoma sa kishte mbaruar shkollën e mesme dhe pastaj student në Akademi.  Sëmundja iu shfaq në fillimet e verës, bëri një ndërhyrje kirurgjikale, bëri disa terapi dhe ka qenë goxha mirë. Shumë optimist, nuk e tregonte fare atë gjë, nuk i binim fare asaj bisede, pavarësisht se në momente kur ishim vetëm flisnim, por nuk besoj se mund të kishte njeri me aq dinjitet dhe optimizëm”, tha miku i tij Petrit Beci.

Ndërsa aktori, Gazmend Gjoka tregon se ai luftoi deri në fund dhe e mori me pozitivitet sëmundjen.

“Unë do thoja se pavarësisht sëmundjes, Xhoda kishte të kundërtën, e mori me pozivitet, si diçka që duhet kuruar, duhet kryer le të themi, si procedurë mjekësore. Ashtu vërtet, ndërhyrjen që pati e kreu, më vonë pastaj gjatë kohës së kimios, që për hir të së vërtetës dhe për hir të diagnozës ishte e rëndë, por përsëri u rehabilitua dhe e mori veten fizikisht. Ne flisnim me miqtë dhe familjarët, që ai u rikthye edhe zakoneve të jetës së përditshme, jo vetëm mësimit që ishte shumë i përkushtuar dhe punonte me studentët. Sëmundja si në çdo rast që është e pabesë me njeriun, edhe me Xhodën kështu ndodhi. Ai u rehabilitua, erdhi mirë fizikisht, por për punë ditësh u agravua deri në atë pikë sa s’mundi t’i rezistonte”.



Skip to toolbar