Serbët e veriut të Kosovës kundër pjesëmarrjes në procesin e regjistrimit të popullsisë

KOSOVA


Serbët e veriut të Kosovës janë shprehur kundër pjesëmarrjes në procesin e regjistrimit të popullsisë nga datat 5 prill deri 17 maj 2024.

Banorët shprehen kundër idesë së regjistrimit pasi nuk bien dakord me politikat e Albin Kurtit dhe se shpresojnë se do të bëhen pjesë e regjistrimit të organizuar nga vetë shteti serb.

Nenad Trifunoviç, qytetar nga veriu i Mitrovicës, tha se popullata e kësaj pjese ka mosbesim të madh ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, për këtë arsye dyshon se nuk do të ketë fare regjistrim të popullsisë në veri.

“Pyetja e vërtetë është nëse do të ketë fare regjistrim të popullsisë në veri të Kosovës. Është mosbesim i madh ndaj pushtetit në Prishtinë, sepse masat të cilat i kanë ndërmarrë muajt e fundit në veri, kanë shkaktuar mosbesim jashtëzakonisht të madh dhe unë nuk besoj në këtë regjistrim dhe mendoj se ky është mendim i të gjithë qytetarëve në katër komunat me shumicë serbe. Do të mbetet për një kohë tjetër, me siguri deri të arrihet një marrëveshje politike, nëse fare do të ketë marrëveshje’, thotë Nenad Trifunoviç, qytetar nga Veriu i Mitrovicës.

Darko Popoviç, një qytetar tjetër nga kjo pjesë e qytetit të Mitrovicës, u shpreh kundër pjesëmarrjes së tij në këtë proces, madje edhe nëse dënohet me gjobë.

“Për çka të dënohem, nëse nuk marrë pjesë?! Nuk e di akoma saktë, por nuk besoj. Për çka të dënohem, nëse nuk marr pjesë, jo jo, nuk besoj”, thotë Darko Popoviç, qytetar nga Veriu i Mitrovicës.

Ndërkaq, analisti nga veriu Branisllav Kërstiç, bëri të ditur për Kosova Press, se shumica e serbëve ndodhen pothuajse në një gjendje të letargjisë dhe të depresionit kolektiv.

Duke qenë të vetëdijshëm për dënimet, ai shtoi se procesit nuk do t’i përgjigjen shumica, përveç atyre të cilët nuk kanë prona në Serbi, si dhe atyre të cilët janë të gatshëm të jetojnë në shtetin e Kosovës.

Shumica nuk janë aspak të interesuar. Shumica e serbëve janë në një gjendje letargjike dhe të një depresioni kolektiv.

“Jam i sigurt se tash për tash procesit do t’i përgjigjen vetëm ata të cilët nuk kanë pronë në Serbi, si dhe ata të cilët janë të gatshëm të vazhdojnë me jetuar në shtetin e Kosovës. Edhe pse e dinë që shteti do t’i dënojë ata të cilët do të refuzojnë pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë, shumica nga ta nuk janë aspak të interesuar (për t’ju përgjigjur regjistrimit)”, shprehet Branisllav Kërstiç, analist.

Nuk ka ndonjë indikacion, të paktën deri tani, se procesi mund të dështojë në veri të vendit. Rezultatet paraprake do të shpallen pas tre muajsh, ndërsa përfundimtare deri në fund të  vitit. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë.



Skip to toolbar